Një veture zyrtare e djegur

Digjen dy vetura në Mitrovicë, pronari shtetas i Serbisë

Dy vetura janë djegur në mëngjesin e sotëm në Leshak të Mitrovicës Veriore.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Mitrovicës së Veriut.

“Dy vetura janë djegur, rreth orës 4:00 të mëngjesit. Pronari i të dy veturave është një person, ai është banor i Serbisë, dhe veturat janë me targa të Serbisë. Nuk ka ndonjë person të lënduar, vetëm zjarri i është vënë veturave të cilat kanë qenë të parkuara, ato janë të tipit ‘Renault Megane’ dhe një vetur ‘Volkswagen’”, ka thënë Hoti.

Mediumi serb N1 raporton se veturat e djegura mund të kenë qenë të ndonjë shërbimi të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme.

I pyetur nëse këto vetura janë të ndonjë shërbimi shtetëror serb, Hoti ka mohuar një gjë të tillë.

“Dihet kush është pronari i veturave, ai është banor i Serbisë, ne e kemi ankuesin e këtij rasti, kjo nuk është e vërtetë, ende nuk dihen motivet e kësaj zjarrevënie”, theksoi ai.