Digjen disa shtëpi pas përplasjeve të telave në fshatra të Suharekës- FOTO

Situatë kritike nga zjarret po vazhdon të mbetet në Komunën e Suharekës pasi që janë djegur edhe disa shtëpi.

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se gjendja po bëhet edhe më alarmante për shkak edhe të erërave të cilat ndodhën gjatë ditës së sotme.

“Sot në mesditë nuk kemi pasur raste të zjarreve, era e fortë ka shkaktuar përplasje të telave të rrymës dhe si rezultat i kësaj janë djegur edhe disa shtëpi, si në Mushtisht, Sallagrazhdë, Gjinoc e në shumë vende të tjera”, tha Muharremaj për KALLXO.com.

Shtëpia e djegur në Suharekë, Foto: Facebook

Tutje ai shtoi se është në teren me ekipet e zjarrfikësve, ndërsa deri më tani nuk kanë ndonjë numër të saktë të shtëpive të djegura në zonat e prekura.

“Ka pasur probleme të shumta edhe në Fabrikën e Ballkanit, jemi në terren të gjitha ekipet. Për shembull në Mushtisht është djegur një shtëpi dhe një stallë e madhe mos të flasim më për fusha, oborre”, tha tutje Muharremaj.

Ai shton edhe duhet të jenë të mobilizuar edhe me grupe vullnetare për shkak të temperaturave të larta.

“Duhet të jemi në mobilizim e sipër, ngase temperatura e lartë po shkakton zjarre në disa dimenzione, mirëpo unë shpresoj dhe besoj që edhe në fshatra po mobilizoheni në grupe vullnetare që të mbetemi vigjilent përballë kësaj situate”, thotë Muharremaj.