Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL
Dialogu në nivel kryenegociatorësh, s’dihet nëse do të ketë takim trepalësh në Bruksel
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, ndodhen në Bruksel, më 17.09. 2024, për të zhvilluar takime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ende nuk është bërë e ditur nëse do të ketë takime trepalëshe.
Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se zëvendëskryeministri Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel më 16.09.2024.
Para se të merrej vendimi për datën 17 shtator pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri Bislimi, të premten më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.
Kështu i kishte reaguar Bislimi medias serbe ‘Tanjug’, pasiqë kjo e fundit kishte raportuar se pala kosovare refuzoi takimin.
Fillimisht, kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.
Më 06.09.2024, Lajçak vizitoi Kosovën.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.