Foto: REL/AFP/Reuters

Dialogu Kosovë-Serbi, sot në Bruksel takohen Hoti e Vuçiq

Vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të fillojë sot nga ora 16:00.

Në njoftimin e Bashkimit Evropian është bërë e ditur se nikoqir i takimit, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

“Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesi i lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit.

Për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së.

Dialogu Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin e BE-së u ndërpre në nëntor të vitit 2018, pasi Qeveria e Ramush Haradinaj vendosi taksën prej 100% për mallra të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Taksa u shfuqizua më pas dhe qeveria e Avdullah Hotit hoqi masat e reciprocitetit të paraqitura nga ish-qeveria e Albin Kurtit, me qëllim të vazhdimit të dialogut./21Media