“Dialogu Kosovë-Serbi”, presidentja Osmani takohet me zyrtarin amerikan Richard Verma

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendëssekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

Osmani, Vermën e priti në Presidencën e Kosovës, duke e falënderuar për përkrahjen që ka ofruar ndaj Kosovës gjatë këtyre viteve.

Takimi nisi duke folur për vizitën e Vermës në Tiranë, ku qëndroi para se të vijë në Prishtinë. Atje takoi kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Verma ka nisur turin në disa shtete të Ballkanit Perëndimor që nga data 07.01.2025, në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Ai do të qëndrojë deri më 11.01.2025.

Ende nuk dihet nëse do të ndodhë një takim edhe me kryeminstrin Albin Kurti.

Departamenti i Shtetit (DASh) bëri të ditur se në Kosovë, Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

Ndër të tjera thuhet se Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.

Në Tiranë, Verma ka pasur të flasë për përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë.

Në Serbi, sipas DASH-it, Zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.

Ai do të riafirmojë, gjithashtu, përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.