Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllac Lajçak, Foto: Albin Kurti/ Facebook

Dialogu i ri me emra të vjetër

Tash e një kohë të gjatë procesi i dialogut me Serbinë ka mbetur pezull. Me ardhjen e Qeverisë së re në Kosovë, Bashkimi Evropian është duke tentuar t’i sjellë në tavolinë të bisedimeve palët.

BE provoi që takimin e parë ta organizojë më 11 maj, mirëpo kjo u refuzua nga kryeministri Albin Kurti me arsyetimin se nuk është diskutuar me të.

“Unë nuk mund të marr pjesë në atë takim, për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, prandaj ajo çfarë mund të konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisioneri Borrell nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë Kurti gjatë vizitës në Bruksel.

Gjatë këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum me Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë dhe Grupin për Ballkan për t’i dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës në procesin e integrimeve evropiane e dialogut.

Grupi për Ballkanin përmes një komunikate për media ka treguar edhe emrat e ekspertëve që do t’i ndihmojnë Qeverisë në këto procese.

“Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut”, thuhet në njoftimin e Grupit për Ballkan.

Kryeministri Kurti nga Brukseli deklaroi se dialogu mund të nisë në qershor, por jo më herët.

Ai ka përmendur se fillimisht do t’i takojë partitë opozitare në Kosovë në lidhje me procesin e dialogut, mirëpo sipas kryeministrit, dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Qeverisë.

Kryeministri Kurti ka refuzuar takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Arsyeja e refuzimit të këtij takimi, sipas Qeverisë së Kosovës, është se pala kosovare nuk është dakorduar paraprakisht për datën 11 maj, që tashme ishte vendosur.

“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vij në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë pune të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ishte shprehur Kurti mbi takimin e 11 majit.

Nga Qeveria e Kosovës e kanë konfirmuar se komunikata e lëshuar nga Grupi për Ballkanin qëndron dhe emrat e ekspertëve po ashtu.

Përveç Leon Malazogut, të gjithë anëtarët e përmendur për ekspertë të dialogut kanë të kaluar politike në Kosovë.

Ambasada norvegjeze është zotuar përmes këtij memorandumi se do të sigurojë mbështetje financiare për kontratat e ekspertëve.

“Ambasada Mbretërore Norvegjeze do të sigurojë mbështetje financiare për zbatimin e këtyre aktiviteteve, duke përfshirë kontratat e ekspertëve dhe aktiviteteve në lidhje me ta”, thuhet në pikën 4 të këtij memorandumi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka treguar rolin e ekspertëve të angazhuar për t’i ndihmuar Qeverisë në procesin e dialogut.

“Ekspertët janë përcaktuar për dy shtylla të angazhimit. Shtylla e parë ajo e diplomacisë – ku janë caktuar dy ekspertë, Leon Malazogu që është edhe koordinator i këtij ekipi dhe Bernard NIkaj për arsye që kanë shërbyer në diplomaci. Shtylla e dytë është shtylla akademike ku janë: Profesori Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremin”, tha Bislimi para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Bislimi ka treguar se ka qenë kërkesë e Qeverisë Kurti që në këtë grup të ekspertëve të shtohen edhe Veton Surroi e Blerim Shala.

“Unë kam kërkuar me ia shtu edhe shtyllën e tretë, njerëzit që i kanë burimet nga brenda, nga roli i tyre nga e kaluara, dhe këtu janë angazhuar z. Surroi dhe z. Shala”, u tha deputetëve numri dy i Qeverisë.

Bislimi ka treguar se këtij grupi të ekspertëve pritet t’i shtohen edhe disa ekspertë të tjerë ndërkombëtarë.

 

Kush janë ekspertët e përmendur?

Blerim Shala

Blerim Shala për disa vite e kishte këshilluar ish-presidentin Hashim Thaçi për dialog pikërisht në kohën kur Albin Kurti kishte akuzuar Thaçin se kishte dashur ta ndajë Kosovën.

Shala është jo vetëm kuadër i Hashim Thaçit por kuadër zyrtar i PDK-së që ishte partia të cilën Kurti me më shumë se një dekadë punoi për ta rrëzuar nga pushteti. Shala aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës gjatë kohës sa Kadri Veseli kishte qenë kryetar i PDK-së, në 2017.

Shala deri në vitin 1999 kishte qenë kryeredaktor i gazetës së përjavshme “Zëri”. Ndërsa që nga viti 2000 deri më 2009, ai ka qenë botues i të përditshmes “Zëri”.

Pas largimit nga bota e medias, Blerim Shala i kishte hyrë politikës. Ai ishte rreshtuar njëherë në AAK-në e Ramush Haradinajt. Madje për një kohë kishte qenë edhe nënkryetar i saj.

Blerim Shala ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje në vitin 1999. Ai po ashtu kishte marrë pjesë edhe në ekipin negociator në bisedimet e Vjenës në vitet 2005-2007.

Veton Surroi

Publicisti, shkrimtari kosovar, Veton Surroi, ka hyrë në dekadën e katërt të aktivitetit të tij politik si pjesë herë aktive e herë pasive e saj.

Pasi kishte punuar për një kohë të gjatë si gazetar, Surroi ishte rreshtuar në politikë në fillim të viteve 1990, në kuadër të Rinisë Parlamentare të Kosovës ndërsa më pas u tërhoq nga politika aktive duke u përqendruar përsëri në gazetari e publicistikë.

Në vitin 1997 ai themeloi të përditshmen e parë të pavarur në Kosovë “Koha Ditore” ndërsa në bisedimet e Rambujesë të vitit 1999 ishte anëtar i delegacionit të Kosovës.

Pas luftës ai vazhdoi angazhimin e tij në “Koha Ditore” deri në vitin 2003 kur themeloi Partinë ORA me të cilën në zgjedhjet e para në të cilat mori pjesë fitoi 7 ulëse deputetësh në të njëjtën kohë kur ishte bërë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës për statusin.

Zgjedhjet e vitit 2007 prodhuan rezultat dëshpërues për këtë parti meqë ajo nuk arriti ta kalojë pragun prej 5 % për të fituar ulëse në Kuvend. Pak javë pas zgjedhjeve ai u tërhoq nga jeta politike.

Vitet e mëpasme ai i kaloi duke shkruar romane e libra publicistikë.

Muhamet Mustafa

Muhamet Mustafa është i lidhur ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partia të cilën Kurti punoi për ta rrëzuar nga pushteti në zgjedhjet e fundit të shkurtit 2021. Ai ka qenë deputet i kësaj partie në legjislaturën e pestë (2014-2017) në Kuvendin e Kosovës.

Muhamet Mustafa është profesor i Ekonomisë dhe njëri nga themeluesit e Institutit Riinvest, bashkë me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Gjatë kohës së Qeverisë Hoti, Muhamet Mustafa kishte qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel. Kurti e kritikoi tërë këtë proces të zhvilluar nga Hoti e Thaçi para tij, por tash po i pranon ekspertët që punuan në dialog në qeveritë të cilat ai i kritikoi si qeveri që kishin bërë koncesione totalisht të paarsyeshme në dialog me Serbinë.

Për më shumë, Mustafa ka qenë pjesë e ekipit të koordinatorit shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hysenit.

Profesori Muhamet Mustafa kishte marrë pjesë edhe në negociatat e Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai kishte udhëhequr ekipin e ekspertëve të Kosovës në fushën e ekonomisë.

“Dëmet e përgjithshme të llogaritura nga komisioni që unë e kam udhëhequr kanë mbërri mbi 20 miliardë dollarë”, kishte thënë Mustafa në një intervistë para disa vitesh për KALLXO.com.

Robert Muharremi

Një nga emrat e tjerë që do të jetë pjesë e ekspertëve është edhe Robert Muharremi. Ai bashkë me Mustafën kanë qenë pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Skender Hyseni gjatë Qeverisë së ish-kryeministrit Hoti.

Në maj të 2017, një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës, Robert Muharremi ishte anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovë.

AI ishte prezantuar si njëri nga ekspertët më të mirë në vend nga kryetari i atëhershëm i PDK-së, Kadri Veseli.

“Lajm fantastik për PDK-në, për ekipin tonë të përbashkët për #FillimiRi. Një ndër ekspertët më të njohur të Kosovës, Robert Muharremi, sot i është bashkuar ekipit tim për #FillimiRi”, kishte shkruar Veseli ditën e aderimit të Muharremit në PDK.

Muharremi me profesion është jurist.

Në kohën kur ishte emëruar pjesë e delegacionit në Qeverinë Hoti, Muharremi kishte deklaruar se nuk ka qenë pjesë e PDK-së, ani pse ishte prezantuar nga Kadri Veseli.

Bernard Nikaj

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, është po ashtu njëri nga ekspertët që do t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut.

Edhe Nikaj është kuadër i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës sepse ishte emëruar si ambasador politik, jo si ambasador i karrierës, gjatë kohës që Thaçi ishte president e Mustafa kryeministër. Nikaj shërbeu si ambasador i Kosovës në Bruksel dhe për çështje të NATO-s.

Nikaj, më 2014, për disa muaj kishte qenë edhe ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, derisa kishte dhënë dorëheqje. Nikaj kishte qenë ministër në kohën kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi.

Gjatë kohës së parafushatës dhe pas zgjedhjeve, Nikaj kishte marrë pjesë në disa debate televizive si analist në Televizionin 7 të udhëhequr nga Berat Buzhala, ish-deputet i PDK-së.

Leon Malazogu

Malazogu, sikurse Nikaj, është po ashtu ambasador politik, jo i karrierës, i emëruar me 22 korrik 2016 nga Hashim Thaçi në kohën kur Thaçi ishte president. Malazogu është po ashtu njëri nga ekspertët për të cilën Qeveria Kurti është pajtuar që do ta këshillojnë Qeverinë e Kosovës në procesin e dialogut dhe integrimeve evropiane.

Si ambasador politik, Leon Malazogu përfaqësoi Kosovën në Tokio të Japonisë. Ai nuk ka shërbyer asnjëherë më herët ose më vonë në ndonjë mision diplomatik.

Para se të emërohej ambasador, Leon Malazogu ka qenë pjesë e shoqërisë civile në Kosovë.

Malazogu kishte udhëhequr për një kohë Institutin D4D që trajton proceset e zhvillimit të politikave publike.