Dhurata Hoxha. Foto: MD

Dhurata Hoxha flet pas denoncimit që Blerim Sallahu e bëri për 'dëmin milionësh'

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka njoftuar se e kanë denoncuar një vendim që është marrë në lidhje me kompensimin e ekspertëve mjeko-ligjorë.

Ai tha se kanë denoncuar në organet e hetuesisë mos nxjerrjen e akteve të reja nën ligjore pas hyrjes në fuqi të ligjit për mjekësinë ligjore në vitin 2016.

“Në vitin 2016, konkretisht më 6 prill ka hyrë në fuqi ligji i ri për mjekësinë ligjore më që rast janë ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që kanë qenë të bazuara në ligjin paraprak. Në vitin 2017, këshilli prokurorial përmes një letre kishte njoftuar ministren e asaj kohe, Dhurata Hoxha se udhëzimi që rregullon kompensimin jashtë orarit të punës së ekspertëve mjeko ligjor kishte vazhduar të bazohet në ligjin që ishte shfuqizuar dhe jo në ligjin e ri të vitit 2016. Por ajo e kishte injoruar këtë letër dhe nuk kishte ndryshuar asgjë”, tha ai.

Sallahu tha që edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka qenë në dijeni por që nuk ka ndërmarrë veprime.

KALLXO.com ka kontaktuar ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxhën e cila ka thënë se rasti në fjalë ka qenë pjesë e rishikimit qysh në vitin 2017.

Hoxha ka theksuar shpërbërja e Kuvendit në atë kohë ka pamundësuar atë të finalizoj aktin nënligjor.

“Ligji ka hyrë në fuqi në prill të 2016 ndërsa unë jam emëruar në MD në korrik të 2016, ku menjëherë kemi filluar me hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të cilat kanë qenë në agjendën legjislative. Sa i përket rastit në fjalë ka qenë pjesë e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, të cilin rishikim e kam iniciuar unë qysh në fillim të vitit 2017. Me gjithë vullnetin e madh dhe dëshirën për të përmirësuar kornizën ligjore shpërbërja e kuvendit dhe koha e shkurtër na ka pamundësuar që t’i bëjmë këto ndryshime”, tha ajo.

Mirëpo Hoxha është shprehur e çuditur se pse është përmendur vetëm emri i saj për këtë rast.

“Shpresoj që ministrat që kanë ardhë pas meje kanë arritur t’i përmisojnë këto zbrazëtira ligjore të cilat janë evidentuar dhe që po vazhdojnë të evidentohen. Pra, kanë qenë edhe tre ministra pas meje duke përfshirë edhe ministren aktuale dhe të gjithë ata paskan pasur mosveprim atëherë, mirëpo vetëm emrin tim e paskan përmendur”, tha Hoxha.

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu gjatë një konference për media tha mos nxjerrja e akteve nën ligjore nga ligji për mjekësinë ligjore  kishte ndikuar në mënyrën e kompensimit jashtë orarit të ekspertëve mjeko-ligjor.

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe duke shfrytëzuar këtë hapësirë ligjore janë kompensuar në mënyrë të jashtë ligjshme dhe selektive disa ekspertë mjeko-ligjor.

“Jemi lajmëruar se individ të caktuar ishin përzgjedhur si ekspert mjeko ligjor dhe në vijimësi ishin thirrë në më shumë raste për ekzaminime, duke përfituar kështu kompensime. Ky dëme arrin dikun vlerën 1 milionë euro. Ne e kemi denoncuar në organet e hetuesisë këtë”, tha Sallahu.

Qeveria denoncon vendimin e Dhurata Hoxhës –pretendojnë se buxheti u dëmtua rreth 1 milion euro