"Dhunuesi je ti": Kosova i bashkohet lëvizjes globale kundër dhunës

Një grup aktivistësh kosovarë do t’i bashkohen mijëra grave nga e gjithë bota, të cilat përmes këngëve dhe marshimit me sytë e mbyllur jashtë ndërtesave qeveritare po i sfidojnë burrat të kenë parasysh rolin e tyre në dhunën e institucionalizuar ndaj grave nën moton: ‘Dhunuesi je ti!

 

Një demonstratë do të zhvillohet në Prishtinë duke filluar nga ora 12:00 e ditës së martë, ku protestuesit do t’i sfidojnë institucionet publike të Kosovës dhe bashkëfajësinë e tyre në mbështetje të dhunës me bazë gjinore, do të performojnë një pikë artistike jashtë Qeverisë së Kosovës me titull ‘Dhunuesi je ti!’

Slogani “Dhunuesi je ti ’është një përkthim nga “El violador en tu camino’, e cila do të thotë ‘Dhunuesi është në mesin tuaj’. Është një këngë me tekst të një grupi feminist teatral nga Kili që është vënë në skenë prej mijëra grave nga qyteti i Santiagos me 25 nëntor të vitit 2019 me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit ndaj dhunës seksuale si një problem politik e jo vetëm si një problem privat.

Kënga, e shoqëruar nga vallëzimi me koreografi të aktivistëve kilianë, është realizuar nga gra të shteteve nga e gjithë bota, përfshirë Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara, Turqinë, Keninë, Meksikën, Kolumbinë dhe Greqinë, të cilat kanë ndihmuar në transformimin e kësaj kënge në një hymn global feminist.

Performanca e “Dhunuesi je ti” do të zhvillohet në Sheshin Skënderbeu, shesh ky i rrethuar nga institucionet publike të Kosovës. “Ne e zgjodhëm këtë lokacion në mënyrë që te kemi mundësinë ta drejtojmë gishtin edhe fizikisht në drejtim të të gjithëve, gjykatave, qeverisë, parlamentit, për t’u treguar atyre se janë ata dhunuesit. Ata do të jenë audienca jonë,” deklaroi njëri nga organizatorët, duke sqaruar se ata po protestojnë kundër mënyrave me të cilat sistemet politike dhe gjyqësore të Kosovës po e mbështesin dhunën me bazë gjinore në vendimmarrjen e tyre dhe po i ritraumatizojnë ata që raportojnë dhe përpiqen të kërkojnë drejtësi ndaj dhunës me bazë gjinore.

Grupi i aktivistëve në Kosovë e ka parë të njëjtën protestë të mbajtur në Tiranë disa javë më parë dhe vendosi të organizojë një protestë të ngjashme edhe në Prishtinë. Protestuesit do t’i mbyllin sytë me pëlhurë për performancën e së martës, dhe organizatorët thanë për Prishtina Insight pse ata vendosën të mbeten anonimë: “Ne kemi vendosur që të mos identifikohemi me asnjë person apo institucion të vetëm. Në do ti mbulojmë sytë me pëlhurë përderisa fytyrat tona do të drejtohën nga qeveria duke përfaqësuar institucionet që i mbyllin sytë  ndaj dhunës së grave”

Në një studim të publikuar nga OSBE në janar  të vitit 2019 mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave në Ballkan, 48 përqind e të anketuarve kosovarë ishin të pajtimit se dhuna në familje është një çështje private që duhet të trajtohet brenda familjes.

Në të njëjtën kohë, raporti i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian për vitin 2018 mbi drejtësinë për dhunën me bazë gjinore tha që deri në 68 përqind të grave në Kosovë mund të jenë subjekt i dhunës në familje, por që shumica e këtyre rasteve mbesin të paraportuara për shkak të perceptimit të vazhdueshëm se dhuna në familje është çështje private, frika nga stigmatizimi dhe poshtërimi dhe në përgjithësi besimi i vogël në institucionet për sudim të ligjit, të gjitha këto e bëjnë të pamundur një rritje në raportimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

Pëlhurat për mbylljen e syve që protestuesit do ti mbajnë janë me shumë rëndësi. Demonstrimi përmes këtyre pëlhurave ka si qëllim personifikimin e grave të cilat institucionet e Kosovës nuk do t’i shohin ose dëgjojnë kurrë më, thonë organizatorët, duke krijuar një zë kolektiv për ato, gjendja familjare e të cilave paraqet pengesë për të ngritur zërin e tyre kundër dhunës.

“Ekziston një lloj force në anonimitet”, tha një organizator për Prishtina Insight. “Ne përfaqësojmë gra të cilat për institucionet e Kosovës janë të padukshme, të cilat nuk janë në gjendje të shfaqen publikisht dhe të flasin. Dhuna mund të ndodhë tek secila grua, pavarësisht faktit nga vijnë ato, cila është mosha apo prejardhja e tyre. Duke i mbyllur sytë, ne tregojmë se i përfaqësojmë të gjitha. ”

Organizatorët besojnë se protesta ka fituar një simpati ndërkombëtare, për shkak të mënyrës se si vallëzimi dhe këndimi përdoren si një formë e aktivizmit shoqëror. Përfaqësimi i fortë vizual i porosisë së aktivistëve përmes sfidave plot mllef, marshit dhe koreografisë e jo vetëm përmes përceptimit tradicional se gratë duhet të jenë të qeta dhe nënshtruese, por gjithashtu lejon të shprehurit në mënyrë emocionale, një mënyrë kjo e cila nuk mund të bëhet përmes formave tradicionale të protestave politike.

“Përdorimi i artit, muzikës dhe performancave në protesta kësisoj është një mënyrë më delikate për të adresuar problemet dhe është efektive kur paraqet një problem po aq serioz sa dhuna,” thanë organizatorët. “Ne harrojmë se sa e fortë mund të jetë ndjenja ndaj muzikës, dhe sa e pabesueshme është ndjenja kur e përdor krejt trupin tuaj për të protestuar për diçka.”

Aktivistët shpresojnë se një ditë më shumë gra në Kosovë do të jenë në gjendje t’i provojnë këto ndjenja: “Në pjesën më të madhe të Kosovës, gratë nuk janë të mirëseardhura në hapësira publike. Lëvizjet feministe fillojnë kur gratë gjejnë hapësirat e tyre për t’u bërë bashkë dhe për të diskutuar për problemet me të cilat ato janë përballur. është kaq e thjeshtë”.

Grupi Haveit nga Kosova ishte një frymëzim tjetër për organizatorët e protestës të së martës. Protesta artistike më e shquar e këtij grupi që ka si qëllim sfidës ndaj dhunës institucionale ndaj grave,  ishte mbajtur në vitin 2018, kur kishin ekspozuar tri tabela në rrugën ‘Luan Haradinaj’ jashtë selisë së Policisë së Kosovës, me mbishkrimin “Edhe sa thirrje të tjera të humbura?”, Duke iu referuar vrasjeve të Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit, të cilët u vranë nga burrat e tyre pasi u përpoqën të lajmërojnë policinë.

“Ato paraqisnin idenë e përdorimit të artit si një formë proteste për Prishtinën, dhe është e rëndësishme që kjo të vazhdojë edhe me artistë dhe studentë të tjerë të rinj,” tha një aktivist për Prishtina Insight. “Unë dua që më shumë njerëz të bëjnë të njëjtën gjë, të bëjnë të mundur ndërhyrjen e tyre në hapësira publike.”

Organizatorët shpresojnë të dërgojnë një porosi të ngjashme, të thjeshtë por edhe të fuqishme. “Këtë herë po u tregojmë atyre se ne jemi këtu, gratë së bashku, përballë qeverisë, duke u thënë atyre: Ne e dimë që po abuzoni me ne dhe ne jemi këtu për t’i dhënë fund kësaj.” ”

 

Protesta artistike “Dhunuesi është ti! ’do të mbahet të martën në ora 12:00 në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Aktivistët i bëjnë thirrje të gjithëve që të bashkohen ose ta shikojnë këtë performancë.