Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, nesër protestohet edhe në Tiranë

Aktivistë të shumtë në Shqipëri, nesër do të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për t’u solidarizuar me Prishtinën, siç thuhet në njoftim, kundër dhunës patriarkale.

Ky mbledhim vjen pas ngjarjes së rëndë që ndodhi më 27 gusht 2022 në Prishtinë, ku një vajzë 11-vjeçare u dhunua për 7 orë nga pesë persona, dy të rritur e tre të mitur.

“Nesër, e mërkurë, 31 gusht, ora 18:30, mblidhemi te sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, për të protestuar në solidaritet me Prishtinën, kundër dhunës patriarkale” – thuhet në njoftim.

“Ne i bashkohemi feministëve kosovar në thirrjen e tyre drejtuar institucioneve, për marrjen e menjëhershme të masave kundër kriminelëve përgjegjës si dhe për garantimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave në të gjitha hapësirat publike” – është thënë tutje.

Gjatë ditës së sotme, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë u mblodhën me dhjetëra persona që protestuan kundër aktit të dhunimit.

Protestë pritet që të ketë edhe nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga ora 12:00.

Në këtë protestë do të kërkohet Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Lidhur me rastin, sot është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë janë arrestuar gjatë dy ditëve të fundit.

Këtyre të fundit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

11-vjeçarja dyshohet se derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.