Flamuri i Indisë, Foto: Pixabay

Dhunimi dhe vrasja e mjekes në spital nxit protesta në Indi

Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, një mjeke praktikante, 31 vjeçe, shkoi të bënte një sy gjumë në një sallë ligjëratash pas një dite të lodhshme pune në njërin prej spitaleve më të vjetra të Indisë. Kjo ishte hera e fundit kur ajo u pa gjallë.

Mëngjesin tjetër, kolegët e gjetën me trupin gjysmë të zhveshur në podium, me lëndime të ashpra trupore. Policia më vonë arrestoi një punëtor vullnetar spitali në lidhje me atë thuhet se është rast dhunimi dhe vrasjeje në Kolegjin 138-vjeçar të Kalkutës, RG Kar Medical, shkruan BBC.

Dhjetëra mija gra në Kaklutë dhe në mbarë shtetin e Bengalit Perëndimor pritet të marrin pjesë në marshin “Rimerre Natën” të mërkurën në mesnatë sipas kohës lokale, duke kërkuar “pavarësinë për të jetuan në liri dhe pa frikë”. Marshi organizohet në prag të përvjetorit të Ditës së Pavarësisë së Indisë të enjten. Mjekët e zemëruar nuk kanë punuar në shenjë proteste në qytet dhe në mbarë Indinë, duke kërkuar një ligj më të ashpër federal për t’i mbrojtur.

Incidenti tragjik ka spikatur edhe njëherë dhunën ndaj mjekëve dhe infermiereve në vend. Raportet për mjekët – pavarësisht gjinisë – të sulmuar prej pacientëve dhe familjarëve kanë rrokur vëmendjen e madhe. Gratë – të cilat përbëjnë 30 për qind të mjekëve dhe 80 për qind të infermiereve në Indi – janë më të cenueshme se kolegët meshkuj.

Krimi në spitalin e Kalkutës javën e kaluar ka vënë në pah rreziqet alarmuese të sigurisë me të cilat përballen pjesëtarët e personelit mjekësor në qendrat spitalore shtetërore të Indisë.

Në Spitalin RG Kar, ku kontrollohen tre mijë e pesëqind pacientë në ditë, mjekët e stërngarkuar me punë – disa punojnë edhe në ndërrime me nga 36 orë – nuk kanë dhoma pushimi, duke i detyruar të pushojnë në një sallë ligjëratash në katin e tretë.

Raportet e mediave lokale bëjnë të ditur se i dyshuari i arrestuar, një punëtor vullnetar me të kaluar kriminale, kishte qasje të pakufizuar në krejt pavijonin dhe ishte kapur prej kamerave të sigurisë. Policia pretendon se nuk ishte kryer verifikimi i të kaluarës së vullnetarit.

“Spitali gjithnjë ka qenë shtëpia jonë e parë; ne shkojmë në shtëpi vetëm për të pushuar. Asnjëherë nuk na ka shkuar mendja se mund të ishte kaq i pasigurt. Tani, pas këtij incidenti, jemi tmerruar”, ka thënë Madhuparna Nandi, mjeke veterane në Kolegjin Mjekësor Kombtar të Kalkutës, të hapur 76 vjet më parë.

Vetë udhëtimi i mjekes Nandi shpalos sesi në spitalet shtetërore të Indisë, kushtet janë të rënda dhe rrjedhimisht mjekët, sidomos gratë, duhet të bëjnë kompromis me sigurinë.

Në spitalin e saj të gjinekologisë dhe obstetrisë, nuk ka dhoma të veçanta pushimi dhe tualete të ndara për mjeket.

“Unë përdor tualetet e pacientëve dhe të infermiereve nëse më lejojnë. Punoj natën, nganjëherë gjumin e bëj në ndonjë shtrat të lirë pacientësh, ose në ndonjë dhomë me shtrat dhe legen”, ka thënë Nandi për BBC-në. Ajo nuk ndihet e sigurt edhe pasi punon në ndërrim prej 24-orësh. Një natë më 2021, gjatë kulmit të pandemisë COVID, disa burra iu futën në dhomë dhe e zgjuan nga gjumi, duke iu drejtuar: “Zgjohu, zgjohu. Kontrolloje pacientin tonë”.

“U trondit kokë e këmbë prej incidentit. Por ne asnjëherë nuk e kemi marrë me mend se do të vinte deri në atë pikë saqë një mjeke të dhunohej dhe vritej në spital”, ka thënë mjekja Nandi.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com