Dhunë në familje në gjashtë qytete të Kosovës

Policia e Kosovës, ka njoftuar në raportin 24 orësh se kanë ndodhur gjashtë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme.

Në Gjilan është arrestuar një person nën dyshimin se përderisa viktima grua ishte në orarin e punës ishte sulmuar fizikisht nga ish bashkëshorti i saj.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në magjistralen Ferizaj-Prishtinë policia e ka arrestuar një person nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim të policisë.

Edhe në Komunën e Pejës është arrestuar një person i cili në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të familjes së tij. Sipas policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, një person në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht me një shishe qelqi kunatën e tij më pas është arrestuar nga policia.

Sipas policisë, viktima nuk ka pësuar lëndime dhe ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Edhe në Malishevë është arrestuar një person i cili në vazhdimësi shkaktonte probleme në shtëpi.

“Të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Kurse në Mitrovicë një person është arrestuar pasi e ka sulmuar bashkëshorten e tij për shkak të një mosmarrëveshje rreth fëmijëve të tyre.

“Viktima pas tretmanit mjekësor është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti duke u hetuar”, përfundon njoftimi.