Dhuna në institucionet e arsimit në Prishtinë

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka raste të dhunës ndaj fëmijëve në çerdhe porse kompetencat e saj për të vepruar në raste të tilla janë të pakta.

“Si drejtoreshë e Arsimit kam mujtë me bë pak, për shkak që roli jonë është që të parandalojmë raste të tilla, të krijojmë një ambient të sigurt ku dhuna nuk fshihet” – thotë Musmurati.

Drejtoresha e sheh edhe më të vështirë raportimin e dhunës në çerdhe sesa në institucionet e tjera arsimore, për shkak të moshës që kanë fëmijët.

E para e Arsimit në kryeqytet thotë se është shumë e rëndësishme për të që gjatë mandatit të saj të punojë dhe fuqizojë drejtorët e institucioneve arsimore që të mos fshihen rastet ku ka dhunë.

Pasojat që mund të merren në raste kur ka dhunë e personat kompetent e fshehin atë, drejtoresha ka thënë se janë suspendimi nga puna.

Musmurati tregon se që nga marrja e mandatit të saj kanë ndodhur dy apo tri therje në shkollat e Prishtinës. Ajo tregon se në secilin rast raportimi i dhunës është menaxhuar në mënyrë të ndryshme nga shkollat.

Mirëpo, menaxhimin e këtyre rasteve dhe adresimin e dhunës në shkolla e sheh si një problem sistemik që është në arsim.

“Për një rast unë e kam marrë vesh në media, për një tjetër më ka njoftu drejtori i shkollës ku i ka të dy fëmijët në zyrë edhe më ka thanë çka me bë. Në një rast tjetër është lajmëru policia tri apo katër orë pasi ka ndodhur rasti” – shprehet Musmurati.

Ajo tregon se kanë filluar procesin e hartimit për planin e sigurisë në shkolla, e për këtë verprim ajo shprehet shumë e lumtur.

“Janë duke na dalë për ditë, shumë e shumë sende të reja të cilat nuk i kemi ditur, probleme të cilat duhemi me i adresu” – thotë ajo.

Musmurati tregon që Komuna e Prishtinës nuk e ka një procedurë standarde të operimit përmes të cilës mund të tregohet se si bëhet menaxhimi i rasteve të dhunës.

E për shkak të një mungese të tillë, drejtoresha tha se nuk kanë hapësirë as për penalizim të rasteve.

E para e arsimit për kryeqytetin tregon se në Prishtinë deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast ku dhuna është ushtruar nga mësimdhënësi ndaj nxënësit, por thotë se rastet janë mes nxënësve.

“Po edhe ajo është dhunë që ndodhë brenda në shkolla” – shprehet Musmurati duke treguar se po punojnë shumë që të kenë një plan të sigurisë në shkolla që i adreson nga siguria fizike e fëmijëve e deri te ajo emocionale.

Ajo thotë se dëshirë e saj është që gjatë mandatit që ka të arrijë të standardizojë mënyrën se si do të raportohet dhuna.

Tutje Musmurati tha se brenda mandatit të saj tetëmujor ka lëshuar disa vërejtje për disa drejtorë të shkollave për disa procese të ndryshme.

Këtu ajo përmend edhe një vërejtje që u lëshua pas raportimit të KALLXO.com. Më 27 tetor 2022 u raportua se bashkëpunimi i qytetarëve me KALLXO.com i kishte dhënë fund “biznesit” të një mësimdhënësi të Prishtinës me nxënësit e tij.

Disa prindër janë ankuar në KALLXO.com se profesori i matematikës i një shkolle të mesme në Prishtinë po i kushtëzon nxënësit me ndjekjen e kursit për lëndën e tij tek ai me pagesë.

Pas mbledhjes së informacioneve, KALLXO.com rastin e ka raportuar në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës.

Musmurati më pas kishte njoftuar se pas këtij raportimi kanë krijuar një komision në Drejtorinë e Arsimit, i cili ka kryer një vizitë dhe inspektim në shkollë.

Musmurati kishre treguar se komisioni ka intervistuar zëvendësdrejtorin e shkollës, në cilësinë e menaxherit të drejtpërdrejtë, dhe mësimdhënësi në fjalë.

Sipas drejtoreshës, zëvendësdrejtori i shkollës ka thënë se nuk ka njohuri për rastin dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë raportim nga ndonjë prind apo nxënës.

Ndërsa, sa i përket mësimdhënësit, përpos që ka pranuar se ka mbajtur kurse me pagesë për nxënësit e tij, ai po ashtu është zotuar se do të ndalojë një praktikë të tillë.

Drejtoresha e Arsimit kishte thënë se ndaj mësimdhënësit kanë dhënë rekomandimi për gjobë dhe vërejtje me shkrim, të bazuar në rregulloren për organizimin e punës në shkolla të mesme të ulëta dhe të mesme të larta.