ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com
Dhuna në familje, katër raste raportohen brenda një dite
Në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje, në të cilat viktima kanë qenë gratë.
Rastet kanë ndodhur në Lipjan, Prishtinë, Istog dhe në Gjakovë. Në dy prej rasteve, dy të dyshuarit ende nuk janë arrestuar pasiqë sipas Policisë nuk dihet se ku ndodhen aktualisht.
Në Lipjan, Policia njofton se më 09.09.2024, rreth orës 10:40h, viktima ka raportuar se burri me të cilin bashkëjeton e ka sulmuar fizikisht.
Më pas, sipas Policisë, vëllai i viktimës e ka sulmuar të dyshuarin e cekur.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Në të njëjtën ditë, në orën 20:00h në Prishtinë, viktima grua ka lajmëruar se i dyshuari bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë psikike ndaj saj si dhe e ka sulmuar fizikisht.
Sipas Policisë, lidhur me rastin është kërkuar i dyshuari në shtëpinë e tij, por i njëjti nuk është hasur pasi ishte larguar nga shtëpia.
Ndërkaq, viktima për momentin është strehuar tek familjarët e saj.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Istog në orën 18:44.
Policia ka bërë të ditur se është arrestuar një burrë pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës, nënës së tij.
“Viktima pas intervistimit është dërguar në strehimore, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes”- njoftoi Policia.
Rasti i katërt ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 23:50, që sipas Policisë dyshohet se babai/bashkëshorti ka ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij dhe bashkëshortes.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari për momentin nuk është arrestuar pasi që është larguar në drejtim të panjohur.