Foto: Ilustrim

Dhuna në familje i kushton me një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit N.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Sipas komunikatës së Gjykatës, më datë 15 maj, në shtëpinë e përbashkët familjare, N.S., i shkakton dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik bashkëshortes së tij.

“Derisa ajo i ofron të pandehurit për ta marr terapinë e përcaktuar nga mjeku, ai i nervozuar dhe agresiv për shkak të problemeve psikike, e kap për krahu të dëmtuarën e godet me grusht duke e ofenduar, pastaj me një gotë qelqi gjuan në drejtim të fëmijës së tij (vajzës), me ç’rast tek e dëmtuara shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj që të jetoj së bashku me të njëjtin, me çka e dëmtuara edhe kërkon mbrojtje në polici”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh të kaluarën kriminale të të pandehurit, pasi i njëjti sipas data bazës në polici, ka shumë raste penale për vepra të natyrës së ndryshme, si dhe sjelljet agresive në vazhdimësi ndaj të dëmtuarës dhe familjes së tij, arsyetojnë faktin që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.

“Gjithashtu, gjyqtari i procedurës ka lëshuar edhe urdhër – për ekzaminim psikiatrik, ndaj të pandehurit N.S., ashtu që Instituti i Psikiatrisë Forenzike të konstatojë gjendjen momentale dhe e vazhdueshme neuropsikiatrike të të pandehurit, dhe të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale aftësia e tij mendore a ka qenë e zvogëluar, dhe të vërtetohet fakti se i pandehuri N.S., a ka qenë në gjendje të kuptoj natyrën dhe rëndësinë apo pasojën e veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.