Dhuna në familje, 150 persona të akuzuar brenda 9 muajve nga Prokuroria e Pejës

Prokuroria e Pejës për nëntë muaj ka ngritur 146 aktakuza kundër 150 personave për dhunë në familje.

Nga janari deri në shtator, Prokuroria e Pejës ka ngritur 146 aktakuza kundër 150 personave, ku 133 janë burra/djem dhe 17 janë gra/vajza.

Gjatë të njëjtës periudhë, në Prokurorinë e Pejës janë trajtuar si viktima të dhunës në familje gjithsej 154 persona, prej tyre 125 gra/vajza, kurse 29 burra/djem.

Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, nga Prokurori i Shtetit janë bërë 35 kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit për personat e pandehur dhe në 6 raste është propozuar për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Prokuroria Themelore në Pejë inkurajon të gjithë viktimat e rasteve të dhunës në familje që t’i raportojnë rastet në ketë prokurori apo në Policinë e Kosovës.