Dhuna e infermieres ndaj të moshuarës në Pejë, Prokuroria ia dorëzon aktakuzën Gjykatës

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se ia ka dorëzuar Gjykatës aktakuzën për rastin që kishte ndodhur në shtëpinë për të moshuar “Orenda” në Pejë.

Pamjet që ishin publikuar nga kjo shtëpi e kujdesit për të moshuar tregonin një nga infermieret, Aurona Pelaj, teksa dhunonte fizikisht një grua të moshuar.

Ngjarja ishte zhvilluar në prezencën e dy infermiereve të tjera, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi,

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka njoftuar se aktakuza është dorëzuar më 28 prill 2023 në Gjykatë.

KALLXO.com ka mësuar se gjyqtarja e vetme gjykuese në këtë rast është caktuar Ilda Cucoviq.

Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtarja akoma nuk ka caktuar datën e seancës së shqyrtimit fillestar, por sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës e njëjta ka kohë deri në fund të muajit maj për ta bërë këtë gjë.

Për Pelajn avokat mbrojtës është caktuar Driton Berisha.

I kontaktuar nga KALLXO.com ai nuk ka dashur të deklarojë asgjë në lidhje me këtë rast.

Viktimë e kësaj dhune dhe mosreagimi ishte M.N., nëna e dëshmorit Taulant Nuraj, i cili ka humbur jetën në moshën 17-vjeçare në luftën kundër Serbisë.

Fillimisht Gjykata e Pejës e pati aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim të tri të dyshuarave, veprim i cili u kundërshtua nga mbrojtësit e të dyshuarave me arsyetimin se, sipas tyre, “Gjykata po bie në presionin publik ndonëse kushtet ligjore për këtë masë sigurie nuk janë plotësuar”.

Më tutje, Gjykata Supreme e aprovoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dyshuarës Rexhepi, avokatit Blerim Ademaj, duke vendosur ashtu që të pandehurave t’u ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit dhe të njëjtat të lëshohen për t’u mbrojtur në liri.

Raportimi i këtij rasti pati një kosto tejet të lartë për rezidencën e të moshuarve “Orenda”.

Pas publikimit të sulmit fizik, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale kishte bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i ishte dorëzuar Komisionit Licencues, i cili pas një takimi urgjent kishte marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Kështu pronarët dorëzuan licencën dhe mbyllën aktivitetin e kësaj qendre.

Sjellja e cilësuar si jo vetëm joprofesionale por edhe çnjerëzore u kushtoi me humbjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit tri të dyshuarave pasi në nëntor të vitit të kaluar Oda e Infermierëve të Kosovës ua revokoi licencat në profilet përkatëse si dhe i fshiu nga regjistri i OIK për profesionistët shëndetësorë.