Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dhoma e Tregtisë kërkon të mos ketë reduktime të rrymës për bizneset

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka kërkuar që Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë – KEDS, të furnizojë 24 orë me rrymë bizneset.

Sipas Dhomës së Tregtisë, reduktimet e energjisë elektrike do t’i dëmtonin në masë të madhe bizneset dhe pasojat do të jenë në humbjen e tregut si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe në humbjen e vendeve të punës.

“Dhoma e Tregtisë kërkon që me urgjencë të ndërmerren masa adekuate që të mos vije deri tek vazhdimi i ndërprerjeve të energjisë elektrike, siç është paralajmëruar nga KEDS 6 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë” – thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimi është bërë e ditur se Dhoma e Tregtisë ka kërkuar nga Zyra e Rrregullatorit të Energjisë që të blejë energjinë elektrike nga bizneset dhe qytetarët dhe jo e njëjta të kompensohet.

“Dhoma e Tregtisë ka zhvilluar disa takime dhe ka kërkuar nga ZRRE që të blejë energjinë elektrike nga bizneset dhe qytetarët dhe jo e njëjta të kompensohet, dhe gjithashtu të blihet edhe nga bujqit të cilët jashtë sezonës janë duke e humb energjinë e cila prodhohet si rezultat i pamundësisë së blerjes nga ana e ZRRE” – thuhet në njoftim.

Sipas tyre, të gjitha këto veprime, përfshirë edhe një ofertë tërheqëse për investime në këtë drejtim, do të zvogëlonin varësinë nga importi dhe reduktimet e paralajmëruara nga ana e KEDS.

“Dhoma e Tregtisë kërkon edhe një herë nga Qeveria që t’i përkrahë bizneset me kredi të buta, ulje të TVSH-së në ushqim, heqje të përkohshme të akcizës, ndryshimin e disa politikave fiskale, e aprovimin e disa ligjeve të cilat do të kontribuonin në ruajtjen e vendeve të punës dhe mundësitë e rritjes së tyre”-thuhet në njoftim.

Dhoma e Tregtisë ka kërkuar nga Qeveria që të ofrojë më shumë përkrahje për bizneset në mënyrë që sipas tyre, të përballojë këtë gjendje jo të lehtë, të shkaktuar si rezultat i pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.

Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.

Propozimi i KESCO-s për dyfishim të çmimit të rrymës