Flamuri i SHBA-së, Foto: Pixabay

Dhoma e Përfaqësuesve voton për shkarkimin e sekretarit të Sigurisë Kombëtare

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votuar për shkarkimin e shefit të emigracionit të presidentit amerikan, Joe Biden. Çështja më pas do të shkojë në Senat, ku do të mbahet gjykimi ndaj sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, i cili është anëtari i parë i kabinetit amerikan që po përballet me këtë procedurë në pothuajse 150 vjet.

Konservatorët në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, fajësojnë sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, për rritjen e hyrjeve ilegale nga Meksika, që ata e kanë cilësuar si “katastrofë humanitare”.

Ligjvënësit miratuan dy akuza ndaj tij, përkatësisht atë për “refuzim të vullnetshëm dhe sistematik” për të zbatuar ligjin e imigracionit dhe “shkelje të besimit të publikut”.

Ky ishte tentimi i dytë i republikanëve ndaj Mayorkas, pas përpjekjet e para për të nisur procedurat për shkarkimin e tij dështuan javën e kaluar.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 214 vota për dhe 213 kundër për procesin që në anglisht njihet si “impeachment” dhe çështja tani do të kalojë Senat, ku pritet të mbahet gjyqi.

“Përveç shpalljes së luftës, impeachment është padyshim autoriteti më serioz që i është dhënë Dhomës dhe ne e kemi trajtuar këtë çështje në përputhje me rrethanat”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

“Pasi që sekretari po refuzon të bëjë punën e tij për të cilën është konfirmuar në Senat, Dhoma duhet të reagojë”, shtoi ai.

Por, Biden menjëherë kundërshtoi këtë vendim të ligjvënësve në Dhomë duke e cilësuar si “akt flagrant antikushtetues që ka vënë në shënjestër një nëpunës të nderuar publik në mënyrë që të luhen lojëra të ulëta politike”.

Herën e fundit që Dhoma kishte votuar për nisjen e gjyqit ndaj një anëtari të kabinetit ishte më 1987 ndaj sekretarit të Luftës, William Belknap, që u akuzua për korrupsion.

Megjithatë, Mayorkas pritet të lirohet nga akuzat e Dhomës gjatë gjyqit në Senatin e udhëhequr nga demokratët.

Votimi ndaj Mayorkas ndodhi në kohën kur Dhoma dhe Senati po përplasen lidhur me frenimin e emigrantëve ilegalë. Në dhjetor, u shënua rekord pasi në ditë në kufirin SHBA-Meksikë u ndaluan 10.000 emigrantë ilegalë.

Çfarë është “impeachment”?

Procedura për shkarkimin e një pjesëtari të Qeverisë amerikane, apo edhe ndaj presidentit, që në anglisht njihet si “impeachment”, do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e zyrtarit nga detyra./REL