Foto: Pixabay

Dhjetëra të lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në Paris

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një ndërtesë në Paris, duke lënduar 24 persona dhe duke shkaktuar zjarr.

Për shkak të shpërthimit, policia ka evakuuar qytetarët nga ndërtesat përreth.

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi këtë shpërthim.

Prokurorët thanë se dy persona ende janë të zhdukur pas kolapsimit të dy ndërtesave në Paris.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kryer operacione përmes rrënojave të ndërtesave në qarkun e pestë të kryeqytetit francez, ku gjenden edhe disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët.

Autoritetet bënë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në shkollë private.

Zjarri është vënë nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht. Rreth 270 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e zjarrit dhe 70 makina të emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas autoriteteve, katër nga të lënduarit janë në gjendje kritike dhe 20 kanë plagë më pak të rrezikshme.

Zyrtarët në qarkun e pestë të Parisit fajësuan rrjedhjen e gazit për shpërthimin, që më pas shkaktoi edhe zjarr.

Kryetarja e qarkut, Florence Berthout, tha se “shpërthimi ishte shumë i dhunshëm”, duke shtuar se copëza xhami ende po bien nga ndërtesat.

Prokurorët në Paris po hetojnë nëse shpërthimi është shkaktuar nga ndonjë shkelje eventuale e rregullave të sigurisë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se hetuesit do të synojnë të përcaktojnë “nëse ka pasur shkelje të rregullave apo ndonjë pakujdesi individuale ka çuar deri te shpërthimi”.

Në Paris edhe në të kaluarën ka pasur incidente me rrjedhje të gazit që kanë shkaktuar shpërthime. Në janar të vitit 2019 u vranë katër persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë pas një shpërthimi./REL.