FOTO: KALLXO.com

Dhjetëra policë të Kosovës fillojnë patrullimin në veri të vendit

Dhjetëra policë të Kosovës kanë zbarkuar në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Ata kanë filluar patrullimin në rrugët e qytetit.

Para pak minutash Policia e Kosovës njoftoi se do të fillojë rritjen e pranisë së saj në veri të vendit.

KALLXO.com sjell pamjet nga shtimi i pranisë së Policisë në veri.

Veprimet policore vijnë si rezultat i tensioneve të shtuara në veri të Kosovës në tri ditët e fundit, ku pati edhe shpërthime të shumta në lokacione të ndryshme.

Një zyrë e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut është jashtë funksionit për shkak se është demoluar. Me granatë dore e “shock bombe” dyshohet se është sulmuar kjo zyrë ndërsa Policia, KFOR-i, dhe EULEX në orët e vona të së martës bënë edhe rrethimin e vendit të ngjarjes ku u gjet granata e dorës e cila më pas është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar.

Në veri të vendit po vazhdon të ketë monitorim nga organet e rendit, saktësisht nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i pas tensioneve të fundit të cilat u shënuan ditë më parë.

Ditëve të fundit dyshohet se serbët lokalë nuk lejuan vendosjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga KQZ për të nisur punën për procesin e zgjedhjeve që priten të mbahen më 18 dhjetor.

KALLXO.com po qëndron në veri të vendit ku po përcjell nga afër zhvillimet që po ndodhin në këtë zonë.

Që nga viti i kaluar disa herë janë regjistruar tensione në veri të vendit si pasojë e vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës në lidhje me targa.