Dhjetëra familje në Kosovë mund të humbasin shtëpitë nga rrënojat ligjore të pasluftës

Dhjetëra familje në Kosovë kanë frikë se do të humbasin shtëpitë e tyre pasi Agjencia Kosovare e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës u dërgoi njoftime për dëbim, duke pretenduar se nuk e kanë blerë pronën e tyre nga pronari i ligjshëm.

Në mars 2020, Cenë Krasniqi, një 59 vje[ar nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, baba i dy fëmijëve, mori një paralajmërim, nga Agjencia Kosovare që merret me verifikimin e pronësisë, që i kërkonte të largohej nga banesa.

Krasniqi e kishte blerë banesën në 2002-shin nga një person që kishte jetuar aty në vitet ‘90.

Në 2007, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, AKKVP, kishte vendosur t’ia jepte të drejtat e pronës një tjetër personi, të identifikuar vetëm nga inicialet L.L., i cili deklaronte që i vëllai, tashmë i ndjerë, kishte jetuar në atë banesë nga fundi i viteve 1970 deri në fillim të viteve 1990.

Krasniqi e çoi rastin në gjykatë. Në maj 2020, Gjykata Supreme e Kosovës “e cilëson si të palejueshme ankesën e Cenë Krasniqit kundër vendimit të formës së prerë” nga AKKVP-ja, sipas vendimit të gjykatës, që i është dhënë BIRN-it nga Krasniqi.

Ai e përshkruan refuzimin e Gjykatës Supreme për të dëgjuar ankesën e tij si një “shkelje e të drejtave të njeriut”.

“Unë po ndalohem që të apeloj kundër një vendimi që po më bën të lë banesën ku rrita fëmijët e mi,” thotë ai.

Janë disa familje si e Krasniqit në Kosovë të cilat përballen me dëbimin nga shtëpitë e tyre për shkak të aktvendimeve për të drejtat e pronësisë në rastet kontestuese.

Nga periudha e pasluftës në 2000 deri në deklarimin e pavarësisë së Kosovës në 2008, Kosova u drejtua nga Administrata e përkohshme e OKB-së, UNMIK, që së bashku me drejtuesit politikë vendorë u përpoqën që të krijonin institucione të cilat do të mund të zbatonin një kuadër ligjor të sapokrijuar për vendin.

UNMIK-u themeloi Drejtorinë për Çështjet Banesore dhe Pronësore në vitin 1999. Ajo u krijua sepse pasi autoritetet jugosllave shfuqizuan autonominë e Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë në vitin 1989, shumë shqiptarëve të Kosovës iu morën pronat e tyre për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Agjencia kishte për qëllim t’u kthente pronat pronarëve të tyre të ligjshëm, të cilat ishin sekuestruar në bazë të diskriminimit etnik.

Shumica e kërkesave pronësore ishin bërë nga serbët e Kosovës, të cilët pretendojnë se njerëzit u sistemuan ilegalisht në shtëpitë e tyre pasi ata u larguan për në Serbi pas luftës së Kosovës në vitin 1999, kur forcat jugosllave u tërhoqën dhe serbët kishin frikë për sigurinë e tyre. Shtëpitë që ata lanë shpesh u shitën dhe u rishitën, duke shkaktuar një rrëmujë ligjore kur pronarët fillestarë u përpoqën të rimerrnin pronat e tyre.

Ndërtesa e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave në Prishtinë. Foto: BIRN.

Në një raport mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë në vitin 2020, Departamenti Amerikan i Shtetit kritikoi autoritetet për dështimin e tyre për të zgjidhur çështjet e kthimit të pronave të vendit.

“Një përzierje komplekse ligjesh, rregulloresh dhe udhëzimesh administrative dhe praktikash gjyqësore, si dhe riuzurpimi i paligjshëm i pronave dhe pretendimet e shumta për të njëjtën pronë, vazhduan të pengojnë zgjidhjen e rasteve të kthimit të pronave që lindën nga lufta dhe pasojat e saj. Më shumë se 96 për qind e këtyre kërkesave janë paraqitur nga serbët e Kosovës”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Qytetarë privatë dhe komunitetet fetare ishin kryesisht të pasuksesshëm në peticionin për kthimin e pronave të sekuestruara ose të konfiskuara gjatë epokës jugosllave”, shtoi ai.

Drejtoria për Çështjet Banesore dhe Pronësore u zëvendësua nga Agjencia Kosovare e Pronës pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Në vitin 2016, autoriteti për të vendosur për çështjet e kontestuara pronësore më pas iu transferua AKKVP-së së sapothemeluar. Kjo ndodhi pasi Serbia pranoi t’i kthejë mijëra dosje kadastrale Kosovës që autoritetet jugosllave i kishin marrë me vete kur ata u larguan nga Kosova në qershor 1999 pasi lufta i dha fund sundimit të Beogradit mbi ish-krahinën e tij.

AKKVP-ja merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që dalin nga mospërputhjet midis dokumenteve pronësore të lëshuara nga autoritetet jugosllave para qershorit 1999 dhe dokumenteve të lëshuara nga autoritetet aktuale të Kosovës.

AKKVP-ja tha për BIRN se ka marrë gjithsej 143 vendime në rastet e “personave që kanë humbur të drejtat pronësore në periudhën midis 23 marsit 1989 dhe 24 marsit 1999 si rezultat i diskriminimit”.

Por disa nga këto vendime kanë bërë që shumë njerëz që kërkojnë të drejta pronësie mbi të njëjtën pronë, dhe disa familje, si ajo e Krasniqit, aktualisht të përballen me dëbimin nga shtëpitë e tyre.

BIRN ka analizuar pesë raste të tilla. Në të gjitha këto raste, pronarët i kishin blerë shtëpitë ligjërisht më shumë se një dekadë më parë duke përdorur kontrata të miratuara nga gjykata, nga persona e drejta e pronësisë e të cilëve ishte e regjistruar në regjistrat kadastralë.

Në të pesta këto raste, AKKVP-ja ka vepruar ngadalë. Edhe pse të gjitha vendimet për pronësinë e pronave janë marrë më shumë se një dekadë më parë nga paraardhësi i AKKVP-së, Agjencia Kosovare e Pronës, AKKVP-ja ka filluar t’i zbatojë vendimet vetëm duke dërguar njoftime për dëbim gjatë dy viteve të fundit.

Autoritet i padiskutueshëm

Mensur Kuleta. Foto: BIRN.

Në rastin e Cenë Krasniqit, Gjykata Supreme po vepronte sipas një rregulloreje të vendosur nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK. UNMIK-u i dha agjencisë paraardhëse të AKKVP-së autoritet vendimmarrës që nuk mund të kontestohet nga gjykatat vendase.

Rregullorja e UNMIK-ut që i jepte AKKVP-së autoritet të plotë u shfuqizua në vitin 2016. Por rastet e Krasniqit dhe të tjerëve si ata që kanë hasur të njëjtin problem ende po trajtohen nga gjykatat sipas ligjeve që ishin në fuqi në kohën kur ndodhën mosmarrëveshjet.

“Ligji i vitit 2016 na jep hapësirë vetëm për të vërtetuar pronësinë, por jo për të prishur vendimin e agjencisë (AKKVP) për shkak të ligjeve që ishin në fuqi në atë kohë”, shpjegoi Florim Shefqeti, një avokat që aktualisht po merret me rastin e Krasniqit dhe të tjerëve.

Gjatë viteve, AKKVP-ja ka marrë vendime kontradiktore, të cilat kanë lejuar që më shumë se një personi t’i njihet e drejta e pronësisë mbi të njëjtën pronë.

Në dhjetor të vitit 2021, Mensur Kuleta u dëbua nga shtëpia në të cilën kishte jetuar për rreth 19 vjet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Në qershor të vitit 2021, familja e tij kishte marrë një njoftim për dëbim nga AKKVP-ja, ku u kërkohej të dilnin nga shtëpia.

Babai i Kuletës, Isufi, e kishte blerë pronën në vitin 2002 nga dikush i identifikuar vetëm me inicialet S.D. me një kontratë të verifikuar blerjeje. Por në vitin 2005, AKKVP-ja ia dha të drejtat e pronësisë një personi të tretë, Fisnik Grezdës.

“Ne jemi pronarë, por edhe një person tjetër është pronar… Kjo është absurde”, tha Kuleta për BIRN.

AKKVP-ja ka marrë një vendim të ngjashëm edhe për rastin e Florent Ismajlit.

Ismajli i tha BIRN se u desh të kthehej nga SHBA në vitin 2018 pas një paralajmërimi nga fqinjët se policia kishte kontrolluar apartamentin e familjes së tij. Nga policia iu tha se “pronari i ligjshëm dëshiron ta shesë pronën”.

Ismajli e ka blerë banesën në vitin 2018 dhe mori njoftimin për dëbim nga AKKVP-ja në fund të vitit. Agjencia zbuloi se personi që ia shiti apartamentin Ismajlit nuk lejohej ta bënte ligjërisht këtë, sepse një personi tjetër i ishte dhënë e drejta e pronësisë mbi apartamentin në vitin 2003.

Rregulloret e UNMIK-ut për pretendimet për pronësi banesore nuk lejojnë asnjë nga palët e përfshira në procesin e verifikimit të pronësisë së një prone të shesë pronën, tha AKKVP-ja për BIRN në përgjigjet me shkrim të nënshkruara nga drejtori i agjencisë, Naser Shala.

“Çdo kontratë për shitje, shkëmbim apo dhurim, e bërë në kundërshtim me këtë nen (në Nenin 5 të rregullores së UNMIK-ut), është e pavlefshme dhe nuk ka fuqi ligjore”, tha Shala për BIRN.

Në vitin 2013, AKKVP-ja i tha komunës së Prishtinës se pronësia e apartamentit që Ismajli bleu përfundimisht nuk ishte objekt i një procesi verifikimi. Ajo ishte e regjistruar në emër të personit që më pas ia shiti atë Ismajlit.

AKKVP-ja i tha komunës se kishte bërë një gabim vetëm pesë vjet më vonë, në vitin 2018 – jo shumë kohë pasi Ismajli e kishte blerë apartamentin.

Agjencia i shkroi komunës se situata “duhet të rishikohet edhe një herë” përpara se apartamenti të mund të shitet.

“Ne mendojmë se në lidhje me këtë pronë nuk duhet të ndërmerret asnjë veprim për ta shitur… ose të pezullohet veprimi”, thuhet në letrën, të cilën AKKVP-ja ia ka dhënë BIRN.

Mirëpo, ishte tepër vonë – Ismajli tashmë e kishte blerë apartamentin, por tani ishte e paqartë nëse ai e kishte apo jo pronësinë e tij.

Që nga fundi i nëntorit 2021, apartamenti nuk është më në emër të Ismajlit.

“Gjykata u përgjigj se ata nuk mund të bëjnë asgjë për këtë dhe opsioni i vetëm është … të humbas 120,000 euro”, tha Ismajli.

Vonesa tepër të gjata

Pallati i Drejtësisë, Prishtinë. Foto: BIRN.

Në të gjitha rastet e shqyrtuara nga BIRN, AKKVP-ja filloi shpërndarjen e njoftimeve të dëbimit shumë vite pasi kishte marrë vendime përfundimtare se kush ishte pronari i ligjshëm.

Si Shefqeti ashtu edhe Burim Tahiri, këshilltar i lartë ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës, i thanë BIRN se vonesat e  AKKVP-së në njoftimin e njerëzve për vendimet e saj dhe në zbatimin e këtyre vendimeve shkelin parashkrimin – afatin kohor të ligjshmërisë së një vendimi para vënies së tij në zbatim.

Njoftimi i dëbimit për apartamentin e blerë nga Ismajli është dërguar 15 vite pasi AKKVP-ja vendosi se ai nuk i përkiste atij.

Kuleta e mori njoftimin për dëbimin e tij 16 vjet pas vendimit të AKKVP-së, ndërsa Krasniqi e mori 13 vjet më pas. Një person tjetër, qw pranoi të përmendej vetëm me inicialet D.M., mori një njoftim për dëbim vetëm 16 vjet pasi AKKVP-ja mori vendimin e saj për kwtw rast.

Tahiri nga Institucioni i Avokatit të Popullit ka punuar në një rast të ngjashëm me një person të quajtur Mustafa Kavaja, i cili ishte njoftuar nga AKKVP-ja në vitin 2019 se nuk ishte pronari i ligjshëm i apartamentit ku jetonte, 15 vjet pas blerjes së tij në vitin 2005. Në qershor 2021, Kavaja mori një njoftim dëbimi nga AKKVP-ja.

AKKVP-ja i tha BIRN se “vendimet e këtij lloji nuk u zbatuan deri në vitin 2018 për shkak të mungesës së një kuadri ligjor, mungesës së emërimit të komisionit për kërkesat pronësore banesore dhe mosdhënies së fondeve financiare nga autoritetet”. Ndryshimi në vitin 2018 erdhi pas lëshimit të një udhëzimi administrativ nga qeveria e Kosovës.

Antigona Uka, zëdhënëse e Gjykatës Supreme të Kosovës, tha për BIRN se AKKVP-ja po i lëshon njoftimet për dëbim në mënyrën e duhur, bazuar në udhëzimin administrativ të vitit 2018.

Por avokati Florim Shefqeti argumentoi se vendimet e gjykatave janë të pavlefshme, nëse duhen dhjetë vjet e më shumë që ato të vihen në zbatim. Për të mbështetur pohimin e tij, ai citoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori 2018.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është marrë në një rast krejtësisht tjetër, por Shefqeti ka shpjeguar se “vendimet e gjykatave janë ligj më vete, domethënë krijojnë precedentë. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se në një rast të caktuar vendimi është i pavlefshëm nëse nuk zbatohet brenda dhjetë viteve, kjo është e përshtatshme për çdo vendim të marrë nga një institucion apo agjenci shtetërore.”

Tahiri tha gjithashtu se nëse kanë kaluar dhjetë vjet nga vendimi për pronësinë e pronës dhe vendimi ende nuk është zbatuar, personi që i është dhënë e drejta e pronës mund ta humbasë atë.

Ai dhe Shefqeti thanë se familjet të cilat përballen me dëbimin duhet ta përdorin këtë argument ligjor për të vërtetuar se janë pronarë të vërtetë, sepse zbatimi i vendimit për dëbimin e tyre ka zgjatur shumë.

Të pesë rastet që BIRN shqyrtoi janë aktualisht në gjykatë ose avokatët e paditësve janë në proces të fillimit të një padie.

Por deri më tani, proceset e dëbimit janë ndërprerë vetëm në një rast të ngjashëm në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, dhe vetëm përkohësisht ndërsa seancat gjyqësore janë në vazhdim.