Aparatat e lojërave të fatit, Foto: Facebook

Dhjetëra aparate të lojërave të fatit konfiskohen gjatë aksionit në Karaçevë

Një aksion i nisur mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, po rezulton me persona të arrestuar dhe dhjetëra aparate të konfiskuar në të cilën zhvilloheshin lojërat e fatit.

Për këtë çështje ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, ka thënë Sveçla.

KALLXO.com mëson se që nga mëngjesi i sotëm janë arrestuar dy persona ndërsa janë konfiskuar dhjetëra aparate të lojërave të fatit, madje janë rrënuar edhe tri objekte në të cilën zhvillohej kjo veprimtari.

Ky është aksioni i dytë që po ndërmerret për të njëjtën çështje në Karaçevë. Kohëve të fundit siç mëson KALLXO.com ka ri-filluar veprimtaria ilegale e lojërave të fatit.

Pas informatave të pranuara nga organet e rendit dhe ligjit, gjatë ditës së sotme po zhvillohet aksioni kundër këtyre veprimtarive ilegale.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për aksionin e shtatorit të vitit të kaluar i cili u nda në disa pjesë dhe në të cilin u arrestuan më shumë se 70 persona.

Në anën tjetër para pak kohësh është ngritur aktakuzë ndaj 73 personave për vepra të ndryshme ilegale që lidhen me kontrabandën dhe lojërat e fatit në Karaçevë.

Ky fshat konsiderohej zonë e paprekshme nga organet e ndjekjes para ndërhyrjes së shtatorit të vitit të kaluar.

Kjo për faktin se ajo zonë ndodhet vetëm pak kilometra nga pika kufitare që ndaj Kosovën me Serbinë.

Si nisi hetimi i rastit Karaçeva?