Foto: Ilustrim

Dhjetë zyrtarët e arrestuar sillen në gjykatë nën masa të rrepta sigurie (FOTO)

Nën masa të rrepta sigurie, udhëheqësit e urbanizmit në Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, janë sjellë para Gjykatës së Pejës për t’u përballur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Së bashku me ta janë sjellë edhe gjashtë zyrtarët e tjerë të këtyre komunave, të cilët po dyshohen për përfshirje në afera korruptive.

Ata u arrestuan dy ditë me parë në një aksion të gjerë të krimeve ekonomike nën udhëheqjen e pesë prokurorëve pejan.

Foto: KALLXO.com

Dyshimet për përfshirje në afera korruptive

Katër drejtorët e urbanizmit në rajonin e Dukagjinit po dyshohen se e kishin keqpërdoruar detyrën e tyre gjatë këtij mandati. Përpos keqpërdorimeve disa nga ta po dyshohen edhe për konflikt të interesit.

Për këto dyshime në Pejë, të prangosur përfunduan drejtori Rajan Arapi dhe zyrtarët Florije Berisha dhe Bajram Muslijaj.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, drejtori i Urbanizmit dyshohet se kishte blerë banesë nga kompania  “Dukagjini” të cilës i kishte lëshuar leje për mbindërtim edhe pse një leje e tillë nuk parashihet në Ligjin për ndërtimet.

Lejet ndërtimore të lëshuara për mbindërtim sipas prokurorisë nuk parashihen në Ligjin për ndërtim dhe se janë lëshuar në bazë të planit zhvillimor komunal Peja 2020 – 2028, plan i cili akoma nuk është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përpos lejes për kompaninë “Dukagjini”, dyshimet për keqpërdorim shfaqen edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore.

Dyshimet për keqpërdorim sipas prokurorisë paraqiten në momentin kur kompania “ART COM” merr leje për ndërtimin me etazhitet 2B+P+6K ndonëse me planin zhvillimor urban për zonën në fjalë parashihej etazhiteti maksimal P+5K.

Përpos kompanive “Dukagjini” dhe “Art Com”, drejtori i Urbanizmit dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij edhe në kohën kur ka lëshuar lejet për kompaninë “El production Sh.P.K”.

Leje ndërtimore për mbindërtim dyshohet se në kundërshtim me ligjin kishte lëshuar edhe drejtori i Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku.

Sipas prokurorisë, leje të tilla nuk parashihen me Ligjin për ndërtim dhe ato në Klinë janë lëshuar në bazë të Planit Zhvillimor Komunal Klina, plan ky që është aprovuar më 2021, e për të cilin plan nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk i ka aprovuar Hartat Zonale.

Dyshime të ngjashme rëndojnë edhe mbi drejtorët Ramë Melaj dhe Jashar Blakaj.

Sipas prokurorisë drejtori Melaj kishte lëshuar lejen për ndërtim në bjeshkën e Belegut edhe pse kjo pjesë është në Parkun Kombëtar, i cili është pjesë e mbrojtur.

Ai dyshohet se e kishte keqpërdorur pozitën edhe kur kishte dhënë lejen për implementimin e projektit “Via Ferrata – Deçan”, në zonën e grykës së Deçanit si dhe për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e restorantit në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar.

Sipas prokurorisë nuk mund të lëshohen lejet ndërtimore në këtë zonë pa u miratuar plani hapësinor i zonës së veçantë nga Kuvendi i Kosovës.

Për këqpërdorim të detyrës zyrtare dyshohet edhe drejtori i Urbanizmit në Istog, Jashar Blakaj.

Sipas prokurorisë ai bashkë me zyrtarët e tjerë të kësaj komune e kanë keqpërdorur pozitën e tyre pasi kanë dhënë leje ndërtimore për ndërtimin e banesave në kate me të larta se sa parashihej për atë zonë.

Madje ndërtues ishte kompania e djalit të njërit nga zyrtarët e urbanizmit të kësaj komune.

Për këto dyshime deri me tani me vendim të prokuroreve të Pejës brenda burgjeve policore po mbahen gjithsej 10 zyrtarë.