Foto: Ilustrim

Dhjetë të vdekur nga zjarri në një shtëpi të pleqve në Spanjë

Së paku dhjetë persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri të madh që ka përfshirë një shtëpi të kujdesit afër Zaragozës në Spanjën verilindore, kanë bërë të ditur shërbimet emergjente, ka raportuar BBC.

Zjarri raportohet se ka ndodhur në periferi të qytezës Villafranca de Ebro të premten në mëngjes dhe zyrtarët lokalë kanë thënë se më shumë se 80 persona ndodheshin në objektin e kujdesit për të moshuarit.

Qendra ishte hapur gjashtëmbëdhjetë vjet më parë si qendër e kujdesit, kanë bërë të ditur mediat lokale, por me kalimin e kohës ishte specializuar për kujdes për personat që kishin probleme mendore.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se zjarri ka shpërthyer në orën pesë të mëngjesit dhe se ishin dashur orë derisa zjarrfikësit arritën ta lokalizonin zjarrin, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë rajonale.

Zëdhënësi nuk ka qenë në gjendje ta konfirmojë nëse të gjitha viktimat ishin banorë të qendrës së kujdesit, por ka konfirmuar se në objekt ndodheshin 80 pleq.

Njëri prej të lënduarve është në gjendje të rëndë dhe se shumë të tjerëve u është ofruar ndihma për shkak të ngufatjes nga tymi.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit nga Zaragoza, që ndodhet nja 35 kilometra larg, por ka pasur edhe ambulanca dhe makina policie.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com