COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

Dhjetë raste pozitive me COVID-19, vetëm 5 të shëruar

2 mijë e 288 mostra të dyshuara për COVID-19 janë testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, prej tyre dhjetë kanë rezultuar të infektuara me coronavirus, ndërsa nuk është evidentuar asnjë rast i vdekjeve në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë në raportin 24 orësh njofton se pesë qytetarë janë shëruar nga virusi corona.

Aktualisht në Kosovë janë 319 raste aktive me SARS-CoV-2.

Sa i përket vaksinimit brenda 24 orëve janë dhënë 3 mijë e 236 doza të vaksinës anti-COVID, përderisa nga fillimi i vaksinimit e deri më tani janë administruar mbi 1,6 milion doza të vaksinës.

“Deri më sot 768 mijë e 814 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftim.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë Publike një person konsiderohet i vaksinuar komplet në momentin që vaksinohet me dy doza të vaksinave kundër coronavirusit.

Nga 13 marsi i vitit të kaluar e deri më tani në nivel vendi janë infektuar 161 mijë e 147 qytetarë prej tyre 2 mijë e 985 kanë vdekur si dhe janë shëruar 157 mijë e 848.