Dhërmi, rrënohen 11 objekte të ndërtuara pa leje

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ushtruar kontrolle në plazhe e hapësira publike në bazë të planit të masave të hartuara enkas për sezonin turistik veror.

Me këtë rast, gjatë kësaj jave është verifikuar linja e bregdetit në Dhërmi, ku u konstatuan 11 ndërtime pa leje, të ngritura në kundërshtim edhe me rregullat teknike, pasi ishin vendosur në rërë.

Siç njofton Policia e Shtetit, ndaj këtyre objekteve është ndërhyrë me mjete duke i prishur, ndërsa ndaj pronarëve abuzivë janë marrë masa administrative dhe kryer veprimet procedurale për ndërtime në kundërshtim me ligjin.

IKMT dhe Policia e Shtetit vijon punën për evidentimin dhe parandalimin e shkatërrimit të mjedisit qoftë përmes ndërtimeve pa leje, ashtu edhe me hedhje inertesh.

Ky aksion do të shtrihet në gjithë bregdetin dhe kudo ku ka ndërtime pa leje.