Ministri turk i Financave, Berat Albayrak

Dhëndri dinamik i presidentit Erdogan bie nga froni

Mes një krize të thelluar ekonomike, dështimit të politikave fiskale dhe përpjekjeve ambicioze për të zgjeruar ndikimin e tij, dhëndri i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan Berat Albayrak është detyruar të japë dorëheqjen si ministër i financave të Turqisë.

Të hënën vonë, pas një ditë heshtjeje duke i lënë në mëdyshje mediat lidhur me atë se çfarë po ndodhte, presidenca turke njoftoi se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kishte pranuar dorëheqjen e Ministrit të tij të Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak.

Albayrak, i cili është dhëndri i Erdogan, e kishte bërë të ditur dorëheqjen e tij në Instagram të dielën në mbrëmje dhe më pas kishte fshirë llogarinë e tij në Twitter.

“Vendosa të mos e vazhdoja detyrën time ministrore për shkak të problemeve të mia shëndetësore,” shkroi Albayrak, për të cilin nuk ka njohuri se ka probleme shëndetësore.

Derisa në momentin kur u bë njoftimi zyrtar, mediat turke kryesisht injoruan dorëheqjen e tij, duke u frikësuar nga tërbimi i familjes Erdogan.

Albayrak ishte një nga emrat më të vjetër në kabinetin Erdogan, fillimisht si Ministër i Energjisë dhe më pas si shef i financave të Turqisë.

Sidoqoftë, përkeqësimi i krizës ekonomike dhe një rënie e ndjeshme e vlerës së lirës turke, si dhe ambiciet e tij për të rritur ndikimin e tij mbi partinë AKP dhe mbi institucionet shtetërore, e shëndrruan atë një ministër shumë të papëlqyeshëm të financave.

Ndërkohë që lira turke vazhdon të bjerë – ajo ka humbur më shumë se 40 përqind të vlerës së saj këtë vit – Erdogan papritur emëroi një guvernator të ri të Bankës Qendrore të Premten në mesnatë, duke emëruar ish Ministrin e Financave Naci Agbal në këtë post.

Erdogan më pas caktoi ish-Ministrin e Transportit Lutfi Elvan si Ministrin e ri të Financave ditën e martë. Të dy Agbal dhe Elvan janë të njohur për disiplinën e tyre fiskale.

“Në përputhje me objektivin kryesor të stabilitetit të çmimeve, të gjitha mjetet e politikës do të përdoren me vendosmëri. Komunikimi do të forcohet brenda kornizës së transparencës, llogaridhënies dhe parimeve të parashikueshmërisë në politikën monetare,” premtoi Agbal të Martën.

Të mërkurën, Erdogan bëri deklaratën e tij të parë publike në lidhje me zëvendësimin e dhëndrit të tij.

“Ne e lejuam Ministrin Albayrak të largohej nga detyra e tij për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Me emërimin e guvernatorit të ri të Bankës Qendrore dhe Ministrit të ri të Financave, ne synojmë të rrisim besimin dhe besueshmërinë e ekonomisë sonë,” i tha Erdogan parlamentit turk.

Raportet mediale thanë se emërimi i së premtes i Agbal si guvernator i Bankës Qendrore u bë pa dijeninë e Albayrak. Por edhe pse kjo duket të jetë arsyeja e dorëheqjes së tij, disa ekspertë besojnë se ka diç më shumë se kaq prapa krejt kësaj.

“Albayrak është një politikan ambicioz shumë agresiv dhe ai bëri shumë armiq ndërkohë që përpiqej të maksimizonte fuqinë e tij. Ai gjithashtu anashkaloi partinë [AKP] dhe tani po paguan çmimin,” i tha BIRN Nezih Onur Kuru, shkencëtar politik në Universitetin Koc në Stamboll.

Kuru shtoi se mbështetja publike e Albayrak ka rënë ndjeshëm.

“Ekziston një perceptim shumë negativ i Albayrak. Sipas një sondazhi të fundit, vetëm 23 përqind e publikut turk e përkrah Albayrak si shef të ekonomisë turke,” deklaroi Kuru.

Sondazhi, i kryer nga Metropoll Research Company dhe botuar me 6 Tetor, tregoi se vetëm 4.9 përqind e të anketuarve mendojnë se Albayrak ishte personi më i mirë për të qeverisur financat e vendit.

Analisti politik me qendër në Ankara Ali Bakeer tha për Al Jazeera se Erdoganit iu desh të bënte ndryshime për ti adresuar problemet ekonomike të Turqisë.

“Presidenti duhej të bënte diçka për të reduktuar humbjet në situatën aktuale. Kjo është arsyeja pse ai ndryshoi udhëheqësin e bankës qendrore dhe më pas pasoi dorëheqja e Albayrak,” tha Bakeer.

Asli Aydintasbas, anëtar i vjetër në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, shkroi në Washington Post se Albayrak mund të bëhet “kurbani  i rënies ekonomike të Turqisë”.

Por Aydintasbas argumentoi se dhëndri i Erdogan “po zbatonte vetëm vizionin e liderit turk – në këtë rast, duke akomoduar maninë të një njeriu të fortë me norma interes-ulëta”.

Problemet ishin të pashmangshme kur “një ekonomi e tillë e stërmadhe dhe e sofistikuar drejtohet si një biznes familjar”, këmbënguli Aydintasbas.

 Lidhjet familjare garantojnë ngritjen politike

Albayrak, tani 42 vjeç, ka studiuar administrim biznesi në Universitetin e Stambollit dhe më vonë përfundoi masterin e tij në financa në vitin 2002 në Universitetin Pace të Nju Jorkut ndërkohë që po i menaxhonte operacionet për kompaninë e familjes së tij, Calik Holding, në SH.B.A.

Në vitin 2004, ai u martua me vajzën e madhe të Kryeministrit të atëhershëm Erdogan, Esra Erdogan. Pas kësaj, ai filloi të ngrihej në politikë, si dhe në biznes, paralelisht me rritjen e fuqisë së vjehrrit të tij në Turqi.

Pas kthimit të tij në Turqi në vitin 2006, ai u emërua drejtor i përgjithshëm në Calik Holding, i cili ka interes në media, energji, ndërtime dhe transport dhe filloi me artikuj shkrimesh në gazetën e përditshme turke Sabah, e cila është në pronësi të kompanisë së familjes së tij.

Ai ishte po ashtu i përfshirë në mënyrë aktive në punën e OJQ-ve dhe fitoi gradën e doktoratës në financa në Universitetin Kadir Has në Stamboll para se të hynte në politikë në vitin 2015 dhe të zgjidhej në parlament.

Kompania e familjes së tij ka në pronësi kompaninë e mediave Turkuvaz, e cila nga ana tjetër zotëron disa gazeta dhe kanale televizive. Vëllai i tij administron shtëpinë mediale por, besohet se Albayrak ushtron shumë kontroll.

Ai u emërua si ministër i energjisë në vitin 2015 jo shumë pasi u bë deputet, pavarësisht akuzave për nepotizëm nga opozita, dhe vjehrri i tij e bëri atë Ministër të Financave dhe Thesarit në vitin 2018.

Qysh atëherë, ekonomia turke ka pasur performancë të dobët, shkalla e inflacionit ka qenë e lartë ndërkohë që papunësia dhe rritja e taksave e kanë bërë më të vështirë jetën e turqve të zakonshëm.

Ndërkohë, deklaron Kuru, Albayrak “në mënyrë agresive ishte duke u përpjekur të emërojë njerëz që janë afër tij në disa institucione shtetërore, duke anashkaluar partinë dhe anëtarët e tjerë të familjes [Erdogan]”.

Gjatë kohës që Albayrak ishte në detyrë, vlera e lirës turke ra me gati gjysmën dhe rezervat e Bankës Qendrore Turke u shkrinë nga 120 miliardë dollarë në një deficit prej 15 miliardë dollarësh.

Vërejtjet e tij publike në lidhje me situatën ekonomike janë kritikuar po ashtu.

“Unë nuk e kontrolloj kursin e këmbimit. Kjo nuk është e rëndësishme,” deklaroi Albayrak përmes një komenti të tillë muajin e kaluar.

Në një koment tjetër që tërhoqi kritika në fillim të këtij muaji, ai dukej se sugjeronte se ai mund të ndryshonte kursin e këmbimit të dollarit amerikan sipas dëshirës – “nëse duam mund ta bëjmë më të ulët, megjithatë jo”, tha ai.

Pas dorëheqjes së Albayrak, lira turke fitoi pesë përqind ndaj dollarit amerikan.

Akuzat lidhur me sanksionet ndaj Iranit

Albayrak luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e sundimit të Erdogan në vend dhe është akuzuar për përfshirje në operacione të paqarta financiare, megjithëse WikiLeaks publikoi të dhëna të asaj që pretendohej të ishin gati 58,000 e postës elektronike të Albayrak ndërmjet viteve 2000 dhe 2016 që duket se vinte në pah ndikimin e gjerë që ai ka mbi një gamë të gjerë fushash të politikës dhe jetës turke.

Email-at pretendohej të tregonin se ai ishte shumë aktiv në emërimin e burokratëve, menaxhimin e fushatave përçarëse përmes mediave sociale dhe manipulimin e raporteve të mediave për tema të caktuara.

WikiLeaks pretendoi gjithashtu se e-mailat treguan se Albayrak ishte i përfshirë në shitjen e naftës nga Shteti Islamik që eksportohej nga Siria përmes Turqisë.

Sidoqoftë, Albayrak e mohoi këtë dhe ambasadori amerikan në Ankara deklaroi më vonë se nuk kishte asnjë përfshirje zyrtare turke në tregtinë e naftës Shteti Islamik.

Albayrak u akuzua gjithashtu për përfshirje në të ashtuquajturën çështje Halkbank. Halkbank, një bankë shtetërore turke, dyshohet se komplotoi për të minuar regjimin e sanksioneve amerikane ndaj të Iranit duke i dhënë Iranit akses në mënyrë të paligjshme në fonde me vlerë miliarda dollarësh ndërkohë që mashtronte rregullatorët amerikanë rreth skemës.

“Ky është një nga shkeljet më serioze të sanksioneve të Iranit që kemi parë dhe asnjë biznes nuk duhet të përfitojë duke shmangur ligjet tona ose rrezikimin e sigurisë sonë kombëtare”, deklaroi Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Siguri Kombëtare John C. Demers.

Gazetarët investigativë nga Shërbimi i Lajmeve të Gjykatës së Drejtësisë dhe Projekti mbi Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pretenduan se Albayrak luajti një rol kyc në shkeljen e sanksioneve të SH.B.A.-së ndaj Iranit.

Ata pretenduan se Albayrak urdhëroi Halkbank dhe Aktif Bank të Turqisë për të ndihmuar biznesmenët iranianë të hapnin llogari dhe të pastronin para.

Albayrak ka mohuar çdo keqbërje lidhur me këtë.

“Çështja Halkbank në Nju Jork nuk ka asnjë bazë ligjore”, tha ai më 24 korrik.

Duke raportuar mbi dorëheqjen e Albayrak, New York Times vuri në dukje se ai është “i njohur për lidhjet e tij me Shtëpinë e Bardhë Trump”. Investimet e presidentit amerikan në Turqi duke përfshirë një rrokaqiell në Stamboll të quajtur Trump Toëer.

Humbja së fundmi e zgjedhjeve nga Trump bëri që disa komentues të mendojnë nëse presidenca e afërt e Joe Biden, i cili mund të vendosë sanksione mbi çështjen e aferës së sanksioneve në Iran, ndikoi në vendimin e Albayrak për të dhënë dorëheqjen nga qeveria.

Mirëpo të tjerët këmbëngulnin se motivet e tij për t’u larguar ishin kryesisht të brendshme.

“Arsyeja kryesore e dorëheqjes së Albayrak janë reagimet kundër tij brenda qeverisë, partisë [AKP në pushtet], familjes Erdogan dhe mes publikut për shkak të lëvizjeve të tij shumë ambicioze dhe të guximshme, si dhe performancës së tij të keqe si ministër i financave,” deklaroi Kuru.