Dezinformimi, lufta informative në disa fronte dhe roli i gazetarit

Në botën e sotme digjitale lufta informative është dukshëm më e shprehur. Lufta në Ukrainë është duke u zhvilluar edhe në disa fronte të botës së informacionit, në frontin e videolojërave, të TikTok-ut dhe në atë të kontrolluesve të fakteve. Prandaj, përqendrimi i vëmendjes së gazetarëve edhe në Kosovë duhet të jetë në burimet e lajmit, në kontrollimin e tyre për të mënjanuar mundësitë e mashtrimit nga informacioni i manipuluar.

Fillimi i luftës në Ukrainë ka prodhuar një valë të re të dezinformimit. Realiteti i ri i krijuar në shtetin ukrainas vazhdimisht pasqyrohet nëpër media por në këtë pasqyrë shpesh reflektohet një realitet i manipuluar, sidomos në media sociale. Këto dezinformata kanë krijuar mjegullnajë mbi atë që po ndodh në Ukrainë dhe raste të ndryshme tregojnë se qytetarë në vende të ndryshme të botës kanë rënë e po bien pre e manipulimit dhe në mënyrë të pavetëdijshme janë bërë e po bëhen pjesë e këtij manipulimi, duke iu mundësuar dezinformatave shpërndarje edhe më të madhe. E gjithë kjo, në dinamikën e sotme të qarkullimit të informatave, e rivendos në qendër të diskutimit domosdoshmërinë që qytetarët të verifikojnë çdo informacion që marrin, pra, të zhvillojnë sensin e verifikimit sikur të ishin gazetarë.

FRONTI I VIDEO-LOJËRAVE

Pas Brexit-it, pas zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe COVID -19, fenomeni i dezinformimit po e vë në rrezik edhe një herë tërë botën, tani me luftën në Ukrainë. Kjo valë e dezinformimit që ndërlidhet me situatën në Ukrainë ka vënë në pak kohë taktika të ndryshme të të manipuluarit. Për dallim nga dezinformatat e mëhershme, qoftë për zgjedhjet në SHBA apo për pandeminë, tani po përdoren edhe video-lojërat për të manipuluar. Një video që pretendonte se përmbante pamje nga lufta në Ukrainë është shikuar mijëra herë në Facebook dhe YouTube. Në fakt, pamjet ishin marrë nga video-loja e quajtur “ARMA 3”. Këto pamje ishin publikuar edhe nga një kanal televiziv në Rumani, që shton dyshimin dhe krijon huti edhe më të madhe mbi informacionin dhe pamjet.

FRONTI I TIKTOK-ut

Dezinformimi për luftën në Ukrainë ka shpërthyer edhe në TikTok, çka nuk ka qenë kaq shumë e shprehur më herët, me dezinformatat që qarkullonin për pandeminë. Në TikTok, video me përmbajtje të manipuluara janë shikuar mbi 30 milionë herë apo video që gjoja se janë nga një qytet ukrainas kanë arritur deri në 5.8 milionë shikime brenda 24 orësh.

FRONTI I KONTROLLUESVE TË FAKTEVE

Një taktikë tjetër që po përdoret në luftën informative është keqpërdorimi i kontrolluesve të fakteve. Një ueb-faqe, “WarOnFakes” paraqitet si një kontrollues faktesh, por që faktikisht shpërndan propagandë ruse. Të njëjtën ueb-faqe e përdor në një tweet edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke e prezantuar “WarOnFakes” si një grup ekspertësh dhe gazetarësh. Kjo e zhvendos luftën edhe në një front tjetër, në atë të “kontrolluesve të fakteve”. Në një artikull të DW demaskohet kjo ueb-faqe dhe konkluzioni kryesor është që nuk ka informacione kush qëndron prapa saj, nuk dihet kush janë “kontrolluesit e fakteve” që i publikojnë artikujt, ndërkaq, përdorimi i ueb-faqes si burim nga mediat ruse dhe Qeveria ruse është në rritje.

ÇFARË DUHET BËRË?

Në botën e sotme digjitale, lufta informative është dukshëm më e shprehur. Trajektorja në rritje e dezinformatave dhe propagandave që qarkullojnë në internet, kërkon që të ngritet edhe kurba e shkathtësive të qytetarëve, në kuptimin e përgatitjes së tyre për të analizuar dhe për të gjykuar çdo përmbajtje mediale, para se ta besojnë atë. COVID-19 dhe, tani, lufta në Ukrainë, dëshmojnë edhe një herë domosdonë që secili prej nesh duhet të jetë shumë i kujdesshëm se ku e marrim informatën dhe se secili prej nesh duhet të kërkojë me ngulm burimin e informacionit. COVID-19 dhe lufta në Ukrainë tregojnë edhe një herë që nuk duhet të shpërndajmë asnjë informacion përderisa nuk e kemi analizuar me mendim kritik dhe, për sa kohë që nuk kemi ndërmarrë së paku tre hapa, verifikimin e burimit të informacionit, kërkimin e të njëjtit informacion edhe në media tjera, si dhe verifikimin e burimeve mbështetëse të informacionit.

Në gjithë këtë, gazetarët duhet të jenë edhe më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm për t’u ruajtur nga propaganda dhe dezinformatat e shumta që janë në qarkullim, si dhe të kontribuojnë në zbulimin e përmbajtjeve të dëmshme mediale. Sikurse në media të ndryshme botërore, edhe te ne kishim raste kur mediat publikuan përmbajtje të manipuluara, duke rënë pre e dezinformatave. Prandaj, përqendrimi i vëmendjes së gazetarëve edhe në Kosovë duhet të jetë në burimet e lajmit dhe në kontrollimin e tyre për të mënjanuar mundësitë e mashtrimit nga informacioni i manipuluar. Redaksitë në vendin tonë, në kuadër të angazhimit të tyre për ta filtruar informacionin duhet të punojnë në dy rrafshe para se ta plasojnë në publik. Rrafshi i parë është angazhimi në trajnimin e gazetarëve për metodat dhe programet që mund të përdoren për të verifikuar informacionet e marra në internet në mënyrë që brenda redaksisë të rritet numri i gazetarëve që mund të punojnë me programet që ndihmojnë në verifikimin e fotografive apo të videove. Rrafshi tjetër konsiston në shtimin e numrit të redaktorëve, në mënyrë që të rritet kujdesi dhe kontrolli ndaj informacionit. Këto përpjekje duhet të jenë pjesë e rëndësishme e funksionimit të redaksive në mediat tona, me qëllim të mbrojtjes së profesionit të gazetarit, sepse, në vitet e fundit, jo rrallë herë e kemi parë se interneti mund të jetë mjedis armiqësor për gazetarët.

Autori është asistent në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës