Deutsche Welle: I dërguari i SHBA-së i kërkon Kosovës që t'u japë serbëve autonomi

I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar u kërkoi autoriteteve të Kosovës ta tërheqin policinë dhe kryetarët e komunave nga zonat veriore. Serbët e Kosovës kanë protestuar kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë etnikë në zonat me shumicë serbe dhe të mbajnë zgjedhje të reja komunale.

Kosova duhet t’u japë komunave me shumicë serbe më shumë autonomi, ka thënë të mërkurën i dërguari i SHBA në Ballkanin Perëndimor.

Serbët në veri të Kosovës kanë protestuar kundër vendosjes së kryetarëve të komunave me etni shqiptare pas zgjedhjeve komunale që u bojkotuan nga shumica e popullsisë lokale serbe.

Pak më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarë etnikë, ndërsa katër komunat veriore janë të banuara me shumicë dërmuese nga serbët.

Çfarë ka thënë i dërguari amerikan?

“Nëse Kosova dëshiron të shkojë drejt integrimit euro-atlantik, do të duhet ta themelojë (një asociacion të komunave serbe)”, ka deklaruar Escobar.

Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar dhe gjithashtu aspiron të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s.

Escobar ka shtuar se nëse Prishtina nuk do ta pranonte një gjë të tillë atëherë do t’ia kthente shpinën Evropës.

“Andaj, do të ndodhë. Pyetja është, a do të ndodhë me këtë qeveri (kosovare) apo me një qeveri tjetër, një qeveri të ardhshme”, tha ai, duke shtuar se autonomia për veriun është përcaktuar në dy marrëveshjet e mëparshme midis Beogradit dhe Prishtinës.

Escobar shtoi se Serbia gjithashtu do të duhet të sigurojë që serbët e Kosovës të dalin për të votuar në zgjedhjet e reja komunale.

“Sfida më e madhe e Serbisë është t’i bindë serbët e Kosovës që t’i bashkohen institucioneve të Kosovës dhe se ata duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës pa parakushte”, ka deklaruar i dërguari amerikan.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shton Escobar, ka premtuar se do t’i inkurajonte serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja nëse ato mbahen.

Presidentja e Kosovës: zgjedhje të reja janë të mundshme

Gjithashtu të mërkurën, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi për Reuters se zgjedhjet e reja lokale mund të mbahen në veriun e Kosovës nëse 20% e votuesve do të nënshkruanin një peticion për ta.

Osmani tha se ajo beson se kjo është mënyra më “demokratike” për të vazhduar me zgjedhjet e reja dhe do të “siguronte pjesëmarrjen e serbëve (Kosovës)”.

Tutje, Presidentja shtoi se Prishtinës i duhen sigurime se Beogradi nuk do të ndërhyjë nëse mbahen zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

Osmani shton se ajo dëshiron që trupat paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequra nga NATO të mbeten në Kosovë derisa Prishtina të pranohet në aleancën ushtarake të NATO-s. /DW

Përgatiti: Nuhi Shala