Detajohen planet për ushtrimin ”Shpata e Argjendtë 2020”

Për dy ditë me radhë, Shtabi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës ishte nikoqir i një punëtorie të udhëhequr nga KFOR-i, përgatitje e ushtrimit  “Shpata e argjendtë 2020” për ndihmë nga katastrofat, e planifikuar të mbahet në shtator.

“Si pjesë e procesit të planifikimit të përgjithshëm, punëtoria ishte krijuar për të rritur më tej ndërveprimin midis partnerëve dhe përbënte një hap tjetër të rëndësishëm drejt fazës së ekzekutimit të ushtrimit. “Shpata e argjendtë” pasqyron angazhimin e përhershëm të NATO-KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet dhe organizatat e sigurisë”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje thuhet se, punëtoria u drejtua nga gjeneral brigade Laurent Michaud, zëvendëskomandant i KFOR-it, dhe aty morën pjesë  Bekim Podrimqaku, drejtor i Departamentit për Analiza dhe Politika të Sigurisë në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryqit të Kuq të Kosovës dhe EULEX-it.