Detajet se si mund të vaksinohen personat nën 18-vjeç

Derisa mësimi pritet të fillojë në muajin shtator, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se tashmë në Kosovë mund të vaksinohen edhe personat nën moshën 18-vjeçare.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë bërë të ditur se fëmijët e moshës mbi 16-vjeç mund të vaksinohen me Pfizer, ndërsa fëmijët e moshës 12-15 vjeç, që janë me probleme shëndetësore, mund të vaksinohen pas konsultimit me mjekun.

“Fëmijët e moshës mbi 16-vjeç mund të vaksinohen që tani me vaksinën Pfizer, sikurse edhe fëmijët e moshës 12-15 me indikacione mjekësore, që do të thotë fëmijët që kanë imunitet të komprometuar, sëmundje shoqëruese ose sëmundje kronike. Këta fëmijë vaksinohen pas konsultimit të prindit me mjekun që përcjell gjendjen shëndetësore të fëmijës dhe pas rekomandimit te mjekut”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur edhe për procedurat deri tek vaksinimi i tyre.

“Prindërit mund të aplikojnë online përmes eKosova, në mënyrë fizike, por me fëmijët e grup moshës prej 12-15 vjeç me indikacione shëndetësore janë prioritet dhe në çdo rrethane mund të vaksinohen edhe nëse kanë ndonjë telashe rreth caktimit të termimeve”, thuhet më tej.

Tutje është bërë e ditur se të gjithë fëmijët do të vaksinohen me vaksinën Pfizer.

“Në Kosovë vaksinimi bëhet me Astra Zeneca dhe Pfizer, ndërsa i fëmijëve mbi 16-vjeç dhe fëmijëve 12-15 vjeç me indikacione mjekësore me Pfizer”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Ndërsa, ditë më parë, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti tha për KALLXO.com se është mirë që para fillimit të vitit të ri shkollor nëse ka vaksina për fëmijë, të vaksinohen.

“Kërkesa ime është që nëse ka vaksina për fëmijët dhe lejohet është mirë që të vaksinohen para se të fillojë viti i ri shkollor, pa u përjashtuar mësimdhënësit”, tha Reshiti.

Në shtator pritet të filloj viti i ri shkollor që sipas Ministrisë së Arsimit parashihet të filloj me prezencë fizike.

Ndërsa, Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha ditë më parë se sipas të dhënave të datës 6 gusht, janë vaksinuar 17 mijë e 483 punëtor të arsimit dhe 12 mijë e 395 studentë.

Edhe dje, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka njoftuar se fëmijët me sëmundje shoqëruese mund të vaksinohen pas konsultimit me mjekun.

Deri më tani në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë pasur vetëm personat mbi 18 vjeç.

Numri i rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme që nga fundi i muajit korrik. Kurse, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 1,765 raste pozitive dhe 5 viktima.

Si rrezikohen të pavaksinuarit nga varianti Delta?

.