Detajet e prokurorisë për vrasjen e dyfishtë në Prizren: Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve

Mbrëmë në Prizren, një zyrtar policor dyshohet se ka vrarë vajzën e tij e më pas edhe veten në shtëpinë e tyre.

Sipas prokurorisë në Prizren, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në prani të familjarëve të tjerë të cilët ishin duke jetuar së bashku.

“Ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës”, ka thënë prokuroria.

Prokuroria gjatë ditës së sotme ka treguar edhe veprimet e ndërmarra në rastin e vrasjes.

“Me datën 15.12.2020, rreth orës 19:30, jemi informuar nga Policia e Kosovës se në lagjen “Edit Durham”, në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, ku dyshohet se është përdorur arma  e zjarrit. Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria ka konfirmuar se arma e cila është përdorur në rast, ishte arma zyrtare e policit.

“Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në fund të njoftimit.

KALLXO.com raportoi mbrëmjen e kaluar për vrasjen e dyfishtë në Prizren.

Vrasja e dyfishtë në Prizren dyshohet se u krye me armën zyrtare të policit