Detajet e policisë: Si u rrëmbye gruaja në veri dhe si ikën rrëmbyesit drejt Serbisë?

Një grua është rrëmbyer gjatë ditës së djeshme në fshatin Leshak të Mitrovicës.

Në lidhje me këtë rast, policia ka bërë të ditur se dy persona të dyshuari në një lokal për shkaqe ende të panjohur e kanë rrahur viktimën dhe me dhunë e kanë futur në veturën e tyre.

Më pas të dyshuarit janë larguar në drejtim të pikës kufitare në Jarinjë.

Policia ka njoftuar se njësiti policor te vendkalimi kufitar ka hasur në veturën e të dyshuarve, ku viktima ka zbritur nga ajo veturë, kurse të dyshuarit me shpejtësi kanë vazhduar rrugën me veturë, e më pas e kanë lënë veturën dhe kanë ikur në këmbë duke kaluar territorin e Serbisë.

Viktima e këtij rasti si pasojë e sulmit ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi, ndërsa vetura e të dyshuarve është konfiskuar.

Me urdhër të prokurorit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, të cilët nuk kanë qenë në shtëpi dhe nuk kanë gjetur asgjë të dyshuar.