Ilustrim

Detajet e policisë për 7 vjeçaren e cila vdiq në ekzaminim mjekësor në Prishtinë

Një vajzë e moshës 7 vjeçare ka vdekur gjatë ditës së djeshme gjatë një ekzaminimi në Prishtinë.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:30.

Në lidhje me këtë rast, tre dëshmitar janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

Policia ka sqaruar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Dje, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Inspektoriati shëndetësor është duke e hetuar vdekjen e dyshimtë të një 7 vjeçare, në një klinikë private në Prishtinë.

Sipas njoftimit, Inspektoriati ka shkuar për të kryer një inspektim specifik në Institucionin Shëndetësor Privat “CT Scaner” në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

“Inspektorët shëndetësor kanë shkuar në Klinikën Emergjente në QKUK ku ishte transferuar një pacient-fëmijë i cili paraprakisht, i ishte nënshtruar rreth orës 10:00, një ekzaminimi MRI (Rezonancë Magnetike) në IShP “CT Scaner”,  të caktuar një ditë më herët. Për të bërë ekzaminimin, fëmija kishte shkuar i shoqëruar në këtë institucion privat nga të dy prindërit e tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas këtij njoftimi, dyshohet se pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ishte transferuar në QKUK, kurse aty ka arritur pa shenje jete, përkundër reanimimit kardio-pulmonor të ekipit të emergjencës, për rreth dy orë, por që nuk kishte mbijetuar.

“Inspektorati Shëndetësor vazhdon hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit në këtë rast”.