Ilustrim

Detajet e Policisë për 41-vjeçarin që u gjet i vdekur në Pejë

Një person është gjetur i vdekur mbrëmë brenda shtëpisë së tij në rrugën “Agush Gjoci”, në Pejë.

Sipas njoftimit, Policia rreth orës 20:26, ka pranuar informacion nga një person, i cili ka raportuar se shtëpia e tij ishte e mbyllur dhe dritat ishin të ndalura.

Policia ka njoftuar se ankuesi kishte shprehur shqetësim për të vëllanë, i cili ishte duke banuar në shtëpi, por nuk i përgjigjej në telefon.

Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të informacionit, njësitet policore  kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të vdekur në shtëpinë e tij, 41 vjeçarin L.R.

Sipas Policisë, tek viktima nuk vëreheshin shenja të dhunës.

“Vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur Njësiti i Hetimeve Rajonale, Prokurori i shtetit i cili ka udhëhequr me shikimin e vendit të ngjarjes mrëmë dhe sot gjatë ditës.  Ekipi mjekësor kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për t’u sqaruar rrethanat e vdekjes.

“Rasti i cilësuar hetim i vdekjes, është duke u hetuar nga hetuesit rajonal në Pejë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për tu sqaruar të gjitha rrethanat rreth këtij rasti”, njofton Policia.