Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Detajet e policisë: 20 vjeçarja e dhunuar në Kukës ishte shpallur si person i zhdukur

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka raportuar për një 20 vjeçare e cila është dhunuar në fshatin Lojme të Kukësit, nga dy vëllezër.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, arrestimi i dy vëllezërve të dyshuar është bërë pasi që të njëjtit dyshohet se kanë dhunuar një vajzë 20 vjeçare, e cila ishte nga Kosova.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, vajza e cila është dhunuar nga dy vëllezër kishte probleme mendore.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kërkuar përgjigje nga Policia në Kosovës në lidhje me rastin e 20 vjeçares.

Sipas përgjigjes së policisë, 20 vjeçarja nga Klina ishte raportuar si e zhdukur që nga data 19 qershor.

“Me datё 19 qershor 2020, nё Stacionin Policor Klinё, ёshtё raportuar njё rast “Person i zhdukur”.Njësitet relevante pranё Stacionit Policor nё Klinё, menjёherë kanё marrё tё gjitha masat e nevojshme dhe nё koordinim tё plotё me Prokurorinë shtetit janё bёrё pёrpjekje maksimale pёr gjetjen e personit tё zhdukur”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia tutje ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, nga Policia e Shteti janë njoftuar se 20 vjeçarja e raportuar si e zhdukur është gjetur.

“Me datë 21 qershor 2020, nga autoritetet e Shqipёrisё ёshtё bёrё pranimi i personit tё zhdukur. Rasti ёshtё duke u trajtuar me autoritetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e policisë dhënë për KALLXO.com.

Në lidhje me dhunimin e 20 vjeçares nga Kosova ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, duke kërkuar reagimin e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, në lidhje me rastin.

“Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë të të dy shteteve, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personave përgjegjës”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave.

Tutje në këtë komunikatë, Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet një ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngritet zëri i të gjithëve.

“Reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”,thuhet në fund të reagimit të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Rrjeti i Grave kërkon nga institucionet që të reagojnë për 20 vjeçaren e përdhunuar në Kukës