Detajet e marrëveshjes për studimin e fizibilitetit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë

Në fushën e infrastrukturës, Kosova dhe Shqipëria pritet të nënshkruajnë memorandum për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Ministrat e qeverive përkatëse ka dhënë detaje të kësaj marrëveshje.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu foli për rëndësinë e kësaj linje hekurudhore.

“Përpos që kjo linjë hekurudhore do të plotësojë një ëndërr në kuptimin historik të shqiptarëve, kjo do bëjë një punë të rëndësishme drejt bashkimit ekonomik të dy vendeve dhe zhvillimit në të dyja vendet sepse do të lidh portin e Durrësit me Prishtinën e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikimin e drejtpërdrejtë në korridorin 10, përmes linjave që lidhin Prishtinën me Nishin, që lidhin pastaj Sofjen e Stambollin tutje drejt Azisë dhe në veri përmes Leshakut me Beogradin e Budapestin, Vjenën e kështu me radhë”, tha ai.

Aliu shtoi se edhe porti i Tivarit në Mal të Zi do të ketë mundësi shumë të mira të komunikimit me korridoret evropiane përmes kësaj lidhje hekurudhore.

Ndërkaq, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku tha se ndihet krenare për nënshkrimin e këtij memorandumi, pasi sipas saj kjo është një nga hapat më konkret nga kjo mbledhje.

“Ne synojmë sot që të bëhemi pjesë e korridoreve të lëvizjes brenda Ballkanit por edhe pjesë e korridoreve të cilat na lidhin me Evropën dhe sigurisht hekurudhat janë mënyra e transportit më efiçinete dhe më miqësore ndaj ambientit. Ajo çka është më e rëndësishme është nxitja, shkëmbimit dhe rritja e volumeve të tregtisë që do të ketë mes dy vendeve tona”, tha ajo.

Kosova dhe Shqipëria, për të shtatën herë me radhë kanë nisur mbledhjen e përbashkët ndërmjet të dy qeverive. Mbledhja po mbahet në qytetin e Elbasanit në Shqipëri.