Pika kufitare në Merdar. Foto: Kallxo.com

Detajet e kontratës për dezinfektimin e kamionëve që hyjnë në territorin e Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e Covid-19 kishte hapur tender për dezinfektimin e kamionëve të cilët hyjnë në territorin e Kosovës, e të cilët duhej të dezinfektoheshin.

Para dy ditëve, KALLXO.com raportoi se kamionët të cilët po hyjnë në territorin e Kosovës po dezinfektohen si masë parandaluese, dhe për këtë po paguajnë shumë deri në 22 euro.

Këtë e kishte konfirmuar edhe ish  ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili kishte thënë se janë në diskutim me Ministrinë e Infrastrukturës prej së cilës edhe është marrë vendimi, që kjo masë të largohet.

Pasdite, KALLXO.com raportoi se kjo kontratë ishte  pezulluar dhe kamionët nuk do të dezinfektoheshin në hyrje të territorit të Kosovës.

Përkundër se kjo masë është larguar, Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar kontrata me tri kompani të ndryshme me 25 maj 2020 që të kryejnë këtë detyrë, por e njëjta u anulua ditën kur kompanitë kishin filluar punën e tyre me hapjen e kufijve.

Në bazë të kontratës së nënshkruar, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kishte kontraktuar tri kompani të ndryshme, pasi që tenderi ishte i ndarë të tri llote.

Vlera e parashikuar nga Ministria për kontratën, “Trajtimi emergjent – Dezinfektimi i të gjitha mjete të renda që hyjnë përmes pikave kufitare në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të ndërmarrjes së masave parandaluese për ruajtjen e Shëndetit Publikë me rastin e pandemisë COVID-19 Lot -1, Lot-2 dhe Lot-3”, ishte 125 mijë euro.

Për llotin 1, MPBAP kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “EKO-DDD”, në Ferizaj.

Kjo kompani ishte e obliguar që të dezinfektoj të gjitha automjetet të transportit të mallrave të cilët hyjnë në territorin e Kosovës, që hyjnë nga pikat kufitare Han i Elezit dhe Dheu i Bardhë.

Për llotin 2, i cili përfshinte pikat kufitare Merdarë, Jarinje dhe Bërnjak, MPBAP kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “BIO GREEN-DDD”, në Prishtinë.

Ndërsa për llotin 3, i cili përfshinte pikat kufitare Vërmicë dhe Kullë, ministria kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “EKO Pastrimit DDD”, në Suharekë.

Në të tri kontratat e nënshkruar nga MPBAP çmimi është i njëjtë, 58 euro për një njësi.

Sipas kontratës, kamionët me peshë 3.5 deri në 7 tonë ishin të detyruar të paguajnë 17 euro për dezinfektim, kamionët nga 7.5 deri në 12 ton ishin të detyruar të paguajnë 19 euro, ndërsa kamionët me mbi 12,5 tonë duhet të paguajnë 22 euro.

Sipas kontratës së nënshkruar, në rast se Policia e Kosovës apo ndonjë organ tjetër kompetent kërkon shërbime shtesë në më shumë se një pikë, operatorët ekonomik janë të obliguar që të zbatojnë urdhëresat e organeve kompetente.

“Po ashtu operatori ekonomik është i obliguar që të ketë staf të mjaftueshëm për mbulimin e pikave kufitare, e po ashtu që të ndërroj në kujdestari varësisht nga qarkullimi i automjeteve, duke kujdestaruar 24 orë në ditë në shtatë ditë të javës”, thuhet në kontratë.

Kohëzgjatja e këtyre kontratave ishte paraparë të jetë në harmoni me situatën epidemiologjike në vendin tonë, por me vendim të ministrisë, dezinfektimi është anuluar dhe kontratat janë pezulluar.