Detaje të reja për vdekjen e 67-vjeçares në Dragash, ajo më parë ishte viktimë e dhunës në familje

67-vjeçarja e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani.

Për dhunë në familje ndaj 67-vjeçares është ngritur aktakuzë më 21 dhjetor 2022. Aktakuza sipas Prokurorisë është ngritur kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait.

“Me datë 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllaut të saj” – ka thënë Fitore Mehemeti-Sejrani.

Një grua, 67-vjeçare, nga fshati Kuk i Dragashit ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Sipas Policisë, viktima kishte pasur shenja dhune në trup.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML dhe rasti është iniciuar si vdekje e dyshimtë.

Nga Prokuroria kanë thënë se është urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës me urgjencë të dërgohet për kryerje të obduksionit.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës me urgjencë të dërgohet për kryerje të obduksionit në Institutin e Mjeksësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për të kuptuar shkakun e vdekjes. Po ashtu, lidhur me rastin prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore”- ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë.