Foto ilustruese

Detaje si u shfrytëzua seksualisht 17 vjeçarja nga kultivuesit e drogës

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka finalizuar një operacioni të koduar “Nikla”, për të cilin u zhvillua hetim për tetë muaj radhazi.

Në kuadër të këtij operacioni nga Policia e Krujës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, është bërë arrestimi i katër personave të dyshuar të cilët kultivonin kanabis dhe të njëjtit shfrytëzuan seksualisht një 17-vjeçare.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, pas 8 muaj hetimesh për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, në fushën e narkotikëve dhe shfrytëzimit për prostitucion, finalizuan operacionin policor të koduar “Nikla”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit E. C., 28 vjeçar, nga fshati Nikël, F. L., 25 vjeçar, nga fshati Borizanë, i cili ishte i ndëruar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në Itali, L. S., 17 vjeçar dhe A. Sh., 26 vjeçar nga Kruja.

Policia tutje ka bërë të ditur se në kërkim janë shpallur edhe A. B., 23 vjeçar i dënuar për drejtim të automjetit të mënyrë të parregullt dhe A. M., 17 vjeçar.

Policia ka bërë të ditur se në bazë të hetimeve të kryera deri më tani, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Gjithashtu, këta shtetas kanë nxitur për përdorimin e drogës një 17 vjeçare dhe e kanë shfrytëzuar seksualisht atë.

“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.