Detaje - Si mori plagë vdekjeprurëse i dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë?

19:36

Duke iu shmangur arrestimit nga Policia, i dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë mori plagët vdekjeprurëse 

Pas konfirmimit se i dyshuari për plagosjen e dy grave, nënë e bijë në Fushë Kosovë ka vdekuur, Policia e Kosovës ka dhënë detaje.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ka marrë plagë vdekjeprurëse në përpjekje për t’u shmangur nga Policia.

Zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se në përpjekje për t’iu shamngur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci’, i dyshuari ka shtënë në drejtim të policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve përreth.

“Dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ahmeti potencoi se sulmi ndaj Policisë është neutralizuar dhe se i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit.

“Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, Policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligjzbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin” – vazhdon njoftimi.

Zëdhënësja e Policisë thekson se ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, dhe rreth orës 18:45 është pranuar informacioni se i dyshuari ka ndërruar jetë.

19:04

Vdes në QKUK i dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë

I dyshuari për plagosjen e dy grave, nënë e bijë paraditen e sotme në Fushë Kosovë, ka vdekur në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com mjeku kujdestar, Ejup Govori.

Ai ka thënë se i dyshuari ka shkuar me shenja jete në QKUK.

“Ka ardhur me shenja jete, por me plagë të rënda në pjesën e gjoksit, ka vdekur në reanimim para 15 minutave” – ka konfirmuar Govori.

18:55

I dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë është dërguar në QKUK

I dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë në orët e paradites, është drejtuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i dyshuari është gjetur i gjakosur, i shtrirë në rrugën ‘Abdullah Kullashi’ në Fushë Kosovë, derisa, në vend ngjarje janë vërejtur edhe disa gëzhoja.

Lidhur me rastin, njësia e Forenzikës do bëjë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

I dyshuari është dërguar në QKUK nën përcjellje të policisë.

18:37

I dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë gjendet i plagosur rëndë

KALLXO.com mëson se dyshuari për plagosjen e dy grave paraditen e sotme në Fushë Kosovë, është gjetur i plagosur rëndë.

Që pas plagosjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën “Besa-Besë” në  Fushë Kosovë, i dyshuari ka qenë në kërkim nga Policia.

15:27

I dyshuari dhe dy gratë e plagosura në Fushë-Kosovë kanë lidhje të largëta familjare

KALLXO.com ka mësuar se dy gratë e plagosura në Fushë-Kosovë, që janë nënë e bijë, kanë lidhje të largëta familjare me të dyshuarin.

I dyshuari është identifikuar nga forcat e rendit.

I njëjti është ende në kërkim.

14:55

Plagosja e dy grave në Fushë-Kosovë, viktimat janë nënë e bijë

KALLXO.com merr vesh se viktimat janë nënë dhe bijë ndërsa i dyshuari i identifikuar dyshohet të ketë lidhje të largëta familjare.

Në anën tjetër, në një prononcim të shkurtër, prokuroja e rastit tha se i dyshuari është ende në kërkim.

“Motivi ende nuk dihet ende, ne kemi biseduar me tre familjar por asnjëri nuk na ka thënë asgjë rreth motivive. I dyshuari është ende në kërkim” – ka thënë shkurt për KALLXO.com prokurorja e rastit, Besa Limani.

14:47

Plagosja e dy grave në Fushë-Kosovë, njëra i nënshtrohet operimit

Gjendja shëndetësore e dy grave të plagosura sot në lagjen “Besa-Besë” në Fushë-Kosovë është stabile. Ndërsa, njëra prej tyre i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

Lajmin për KLALXO.com e konfirmoi mjaku kujdestar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ejup Govori.

“Njëra nga të plagosurat me lëndime në abdomen, është transferuar në sallë të operacionit për intervenim kirurgjik nga kirurgu abdominal dhe pastaj nga ortopedi sepse ka lëndime në bark” – ka thënë ai.

“Ato kanë ardhur në gjendje stabile dhe janë në gjendje stabile aktualisht dhe jashtë rrezikut për jetë” – deklaroi Govori për KALLXO.com.

Siç merr vesh KALLXO.com të plagosurat janë nënë dhe bijë.

14:03

Plagosja e dy grave në Fushë-Kosovë, Prokuroria jep detaje

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj tha se hetimet e para tregojnë për një person të dyshuar.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësite e tjera relevante, ku sipas informatave fillestare mund t’iu njoftojmë se nga të shtënat me armë zjarri nga një i dyshuar, janë plagosur dy femra të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor” – tha Ulaj.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”” – tha ajo.

Hetimet për kapjen e të dyshuarit janë duke vazhduar.

“Ne koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurë penale, si dhe për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti” – thuhet në fund të njoftimit.

13:01

Plagosja e dy grave në Fushë-Kosovë, Policia në kërkim të të dyshuarit

Sot, rreth orës 12:00 në lagjen “Besa-Besë” në Fushë-Kosovë janë plagosur dy gra nga një person.

Të njëjtat sipas policisë janë dërguar për tretman mjekësor ndërsa një i dyshuar tashmë është identifikuar nga forcat e rendit.

“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë” – thuhet në njoftim të policisë.

“Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit” – konfirmoi policia.

12:23

Plagosen dy gra në Fushë-Kosovë, Policia identifikon të dyshuarin

Dy gra janë plagosur sot rreth orës 12:00 në lagjen “Besa-Besë” në Fushë Kosovë.

Rastin për KALLXO.com e konfirmoi Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

Sipas forcave të rendit, i dyshuari është identifikuar dhe kanë nis hetimet për arrestimin e tij.

“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen” – thuhet në njoftim të policisë.

“Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit” – thuhet në njoftim.