Detaje si kaluan ilegalisht kufirin shtetasit e Sirisë nga Shqipëria në Kosovë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy shtetase të Shqipërisë për kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit, të dyshuarit L. B., dhe A. R., gjenden në paraburgim që nga 10 nëntori pasi që është vërtetuar se të njëjtit kanë bërë kontrabandim me migrantë.

Në aktakuzë thuhet se me 10 nëntor, pas mesnatës, derisa zyrtarët e policisë kufitare të pikë kalimit kufitar në Vërmicë, përmes vëzhgimit me dylbi në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”, kanë vërejtur një grup njerëzish duke kaluar ilegalisht kufirin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se të pandehurit së bashku me grupin e personave të tjerë janë ndalur nga ana e Policisë Kufitare, si dhe pas verifikimit nga zyrtarët policorë është vërtetuar se të njëjtit ishin shtetas të huaj nga Republika e Sirisë, të cilët më pas, së bashku me dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor në Vërmicë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.