Foto: KALLXO.com Ilustrim

Detaje si e planifikoj i dyshuari nga Suhareka trafikimin e sirianëve në Kosovë

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin S. M., nga Suhareka nën dyshimet se ka bërë kontrabandim me migrantë.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren thuhet se i dyshuari me 21 tetor rreth orës 07:55, në Vërmicë, ka bërë kontranabandë me migrantë me qëllim të përfitimit të dobësisë pasurore.

Gjykata ka bërë të ditur se i dyshuari kishte shkuar me automjet në Pikën Kufitare në Vërmicë dhe aty kishte pranuar 19 shtetas të Sirisë, të cilët kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pa dokumente të identifikimit.

Kështu i pandehuri derisa ishte duke lëvizur me shpejtësi në autostradë në Prizren ishte ndaluar nga patrulla e Policisë, por i njëjti sapo e kishte vërejtur policinë i ishte shmangur ndjekjes, duke dal nga autostrada në Prizren dhe duke ikur në drejtim të fshatit Vlashne.

Në fshatin Vlashne, i dyshuari sipas Gjykatës hyn në oborrin e një fshatari ndalon veturën, del nga vetura dhe ik në drejtim të panjohur.

“Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo masë është më oportune dhe më e arsyeshme duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm.