Foto: Ilustrim

Detaje se si policia në Suharekë ndalon falsifikuesit e parave

Policia në rajonin e Prizrenit gjatë ditës së djeshme, ka pranuar një informacion nga një punëtore e bankës në Suharekë se në bankë janë deponuar para të falsifikuara.

Sipas punëtores, vlera e parave ishte 200 euro, në kartëmonedha nga 20 euro.

“Hetuesit policor sapo kanë pranuar informacionin, kanë filluar me profilizimin dhe identifikim e personit të dyshuar dhe pas hetimeve të kryera janë ndaluar dy persona të dyshuar për këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, të dyshuarit E.M., 47 vjeçar dhe A.M., 46 vjeçar, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim.

“Policia e Kosovës është duke punuar me përkushtimin për të parandaluar veprat penale të falsifikimit të parasë. Në Suharekë dhe rajonin e Prizrenit në kohët e fundit ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të parasë së falsifikuar, si dhe ka arrestuar disa të dyshuar në lidhje me ketë dukuri, andaj kërkojmë nga qytetarët që të raportojnë të gjitha rastet e dyshimeve në lidhje me falsifikimin e parasë, vepër penale e cila dëmton qytetarët dhe institucionet në aspektin ekonomik”, thuhet në njoftimin e policisë.