Detaje se si përfundoi mbrëmja e Telekomit me vetë-plagosjen e zyrtarit të lartë

Mbrëmja e cila ishte organizuar për fundvit nga Telekomi i Kosovës, ka përfunduar me një plagosje.

Sipas policisë, një person ka deklaruar se është vetë plagosur. KALLXO.com mëson se personi që ka deklaruar se është vetë plagosur është Shaban Ramaj Zëvendësdrejtor i Departamentit të Logjistikës në Telekomin e Kosovës.

Burime të KALLXO.com, brenda Telekomit të Kosovës kanë thënë se ngjarja kishte ndodhur deri sa Shaban Ramaj e Arsim Radamani zëvendës drejtor i shërbimeve mbështetëse në Telekom,  të dy këta kolegë në këtë ndërmarrje janë zënëm mes vete dhe më pas, Ramaj ishte vetë plagosur aksidentalisht.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefi por i njëjti për shkak se ka qenë jashtë vendit, ka thënë se nuk ka ende njohuri se si kishte filluar ngjarja dhe shtoi se do të merret me rastin pasi të kthehet në Kosovë.

Në media u raportua se Shaban Ramaj është shofer i Kryetares së Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatrit, por e njëjta e ka mohuar një gjë të tillë për KALLXO.com.

“Së pari unë nuk kam shofer dhe së dyti nuk kam qenë në atë nejë e cila është organizuar mbrëmjen e kaluar”, ka thënë shkurt Shatri.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në raportin ditor ka njoftuar se zënka ka qenë mes dy të rinjve.

Në raportin policor thuhet se ngjarja ka ndodhur në një lokal në Prishtinë në rrugën “Enver Zymberi” pak para mesnatës së mbrëmshme.

“Njësitet relevante policore  kanë dal në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve.  I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht vet-plagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin policor.