Detaje rreth operacionit të policisë, arrestohet 12 persona për krim të organizuar

Policia e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën ka dhënë detaje rreth një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, i cili ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

Në këtë konferencë, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu ka bërë të ditur se operacioni i zhvilluar sot është vazhdimësi e një operacioni i cili ka filluar në tetor të vitit të kaluar.

“Prokuroria Speciale sot ka bashkëvepruar me Policinë e Kosovës dhe ka realizuar një aksion i cili është vazhdimësi e një aksioni i cili është zhvilluar në fund të muajit tetor. Operacioni i zhvilluar në tetor ka rezultuar me tre të arrestuar për krim të organizuar, falsifikim të dokumenteve, dhe kontrabandë me imigrant”, ka thënë prokurorja.

Sipas saj, aksioni i cili është zhvilluar në muajin tetor nuk është bërë publik në mënyrë që të mos pengohen hetimet rreth rastit.

Ndërsa, kolonel Florie Hajra nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në gjithsej pesë lokacione të ndryshme, kryesisht në rajonin e Prishtinës.

“Operacioni i parë është realizuar vitin e kaluar me 29 tetor, ku janë kontrolluar pesë lokacione kryesisht në Prishtinë, dhe janë arrestuar tre persona, ndërsa në operacionin e sotëm janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë ndaluar nëntë persona të dyshuar”, ka thënë Hajra.

Sipas Hajrës, gjatë kontrollit në këto lokacione, janë gjetur laborator të pajisur me aparatura për falsifikim të dokumenteve, patentë shofer, pasaporta, nga më shumë se 16 shtete të BE-së.

“Në këto dy operacione janë arrestuar gjithsej 12 persona të dyshuar të cilët gjenden në mbajtje, ndërsa të tjerët në paraburgim me vendim të Gjykatës”, u shpreh Hajra.

Kolonel Hajra ka bërë të ditur se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar aparatura, dokumente të falsifikuara dhe prova të tjera materiale të cilat do të shkojnë në ekzaminim.