Detaje rreth gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që nis të hënën

Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të fillojë të hënën, më 3 prill, me deklaratat hyrëse të të akuzuarve.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata nuk e kanë pranuar fajësinë.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka 3 orë kohë, mbrojtja e Rexhep Selimit ka 1 orë, ndërsa avokati i Jakup Krasniqit ka gjysmë ore për të paraqitur mbrojtjen e tyre para trupit gjykues.

Deklarata hyrëse e Kadri Veselit ka caktuar një kohë prej 45 minutash.

Data 11 prill është rezervuar për paraqitjen e provave të Prokurorisë dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

Në pjesën e parë të konferencës, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.

Megjithatë, trupi gjykues ka shprehur pakënaqësi për kohën e gjatë që ka kërkuar Prokuroria Speciale rreth 700 orë.

Dhomat e Specializuar në Hagë kanë konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Me këto ritme, gjykimi për të akuzuarit pritet të zgjasë me vite.

Ndërkaq, të dielën më 2 prill në Prishtinë nga ora 14:00 është thirrur marshi “Marshojmë për drejtësi”, një ditë para fillimit të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.