Detaje për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Liburn Aliu

Mbrëmë rreth orës 22:30 dyshohet se është vjedhur vetura zyrtare e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Siç mëson KALLXO.com, vetura ngjyrë e zezë, me targa zyrtare, ka qenë e parkuar në parkingun e Ministrisë së Mjedisit.

Vjedhja e veturës është raportuar në polici mëngjesin e sotëm rreth orës 08:50 apo gati 12 orë pas kohës kur dyshohet se është vjedhur.

Sipas një dokumenti që ka siguruar KALLXO.com, ankuesi pretendon se mbrëmë nga ora 22:30 deri në orën 22:45, ministri Aliu kishte parkuar veturën e tij në parkingun e ministrisë.

Ndërsa në orën e hershme të mëngjesit, rreth orës 04:30 është telefonuar përgjegjësi për veturat e kësaj ministrie, inicialet e të cilit janë B.C.

Telefonata për përgjegjësin ishte nga zyrtarë policorë në pikën kufitare me Shqipërinë, në Qafë Morinë. Ai ishte njoftuar se vetura zyrtare e ministrit Aliu është ndaluar pasi që kanë dyshuar te vozitësi.

Rasti i vjedhjes është duke u trajtuar nga Policia e Shqipërisë pasi që rasti ka ndodhur në hyrje të këtij shteti.

Personi i dyshuar dhe vetura zyrtare që dyshohet se është vjedhur, në mëngjesin e sotëm janë ndaluar në pikën kufitare në Qafë Morinë. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të këtij të fundit rasti është hapur dhe po hetohet si vjedhje.