Njëri nga të akuzuarit në lidhje me rrëmbimin e dy shtetasve maqedonë në Gjilan. FOTO-KALLXO.com

Detaje për rrëmbimin e shtetasve maqedonas dhe roli i dy policëve specialë në rast

Përfshirja e zyrtarëve policorë në vepra penale është dëshmuar ditëve të fundit nga ngjarje të ndryshme të cilat ndodhën.

Nën kërcënimin e armëve, të keqtrajtuar, pa bukë e ujë, dy shtetas të Maqedonisë së Veriut ishin mbajtur për disa orë brenda një vile ndërsa nga të njëjtit ishin kërkuar para.

Javën e kaluar një ngjarje e rëndë u shënua në dosjet e Policisë dhe Prokurorisë.

Gjashtë persona, nga ta dy gra, një punëtor i RTK-së F.S., një punëtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, V.K., dy zyrtarë policorë V.K., dhe B.N., po dyshohet se kanë rrëmbyer dy shtetas maqedonas ndërsa e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në një vilë në një fshat të rajonit të Gjilanit.

 

Hetimet e para zbardhin se dy policë të Njësive Speciale ishin përfshirë në rast ndërsa ende nuk është bërë e qartë se cili kishte qenë njeriu kryesor i gjithë ngjarjes ani pse deklaratat flasin për zyrtarët policorë.

Një nga të dyshuarit në rastin e rrëmbimit në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Në emisionin e sotëm në “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje ekskluzive të zyrtarëve policorë, të personave të tjerë të përfshirë në rast deri sa dalin nga Gjykata e Gjilanit ku u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të kryerjes së veprës penale.

E gjithë ngjarja nisi kur dy shtetasit maqedonas kishin ardhur në Kosovë ndërsa ishin takuar fillimisht me dy gratë e involvuara në rast. Qëllimi i tyre ishte që të vinin në grackë shtetasit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut gjoja se ishte një aferë seksuale nga e cila më pas si kompensim do të kërkoheshin para nga viktimat për të mbyllur këtë rast.

Dosja e Prokurorisë përfshin detaje se çka kishte ndodhur brenda datave 16 dhe 17 të këtij muaji, ndërsa ishin familjarët e viktimave të cilët kishin shkuar në stacionin policor për të rapoprtuar humbjen e tyre.

Deri sa po qëndronin brenda stacionit policor, familjarët e viktimave kërkojnë ndihmën e Policisë për të gjetur viktimat, ndërsa në ato momente një video incizim dërgohet në telefon e pamjet ishin jo të mira.

Në videot që u kishin shkuar familjarëve të viktimave shihej njëri nga ta i zhveshur së bashku me njërën nga gratë e përfshira në rast, e njëri nga zyrtarët policor dëgjohej duke thënë se kjo punë mund të mbyllej nëse “e bjen gruan te unë edhe mallin”.

Pas këtyre pamjeve alarmohet stacioni policor në Gjilan dhe fillojnë punën për të lokalizuar vendin ku dyshohej se mbaheshin viktimat si dhe për të identifikuar personat e përfshirë në rast.

Meqë ishte identifikuar njëri nga zyrtarët policor, në këtë rast për të interevenuar shpejtë dhe për të arrestuar të dyshuarit nuk ishte përfshirë njësiti në të cilin punonte polici V.K.

Prokurori i cili po heton rastin, nga Gjilani, Agron Uka, ka treguar se ka qenë e vështirë që telefonat e viktimave të përgjohen për shkak se të njëjtit kanë qenë të Maqedonisë së Veriut.

“Në lidhje me rastin familjarët e të dëmtuarve përmes incizimeve që i kanë përcjellë të dyshimtit te familjarët e viktimave, nga hetuesit policorë është arritur që të identifikohet edhe lokacioni ku po ndodhte ngjarja”, tregon prokurori Uka deri sa shton se pas bashkëpunimit mes hetuesve policorë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës është arritur edhe që të zhvillohej intervenimi i shpejtë për kapjen e të dyshuarve në lidhje me rrëmbimin.

Prokurori Agron Uka, Foto: KALLXO.com

Tutje prokurori tregon se viktimat janë keqtrajtuar.

“Është për t’u potencuar edhe elementet e rrëmbimit i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore. Në rastin konkret ndaj viktimave është përdorur dhuna dhe kanosja, ashtu që me kondakët të revoleve janë goditur viktimat, kështu që edhe raportet mjekësore që i posedojmë thonë se viktimat kanë qenë të lidhura të prangosur dhe kanë përjetuar traumë”, tha tutje prokurori Uka.

Në anën tjetër ai përmendi se plani i grupit që organizoi rrëmbimin ishte për përfitim material.

“Viktimat kanë qenë të zhveshura, plasim i video incizimit te familjarët, si pretekst se në rastin konkret viktimat kanë pasur marrëdhënie me personin dhe duke pasur parasysh rrethanat nga kjo u kërku edhe kompensimi”, vazhdon të tregojë prokurori Uka.

Ai shton edhe se në lidhje me rastin, ushtrimin e forcës e kanë bërë zyrtarët policorë ndërsa të njëjtit edhe kanë kërcënuar viktimat.

Nga deklaratat e viktimave dhe të përfshirëve në rast, prokurori Uka thotë se rolin kryesor në këtë ngjarje mund ta kenë zyrtarët policorë pasi që të njëjtit kanë qenë në dijeni edhe për kryerjen e veprimeve të tyre të cilat janë në kundërshtim me ligjin.

“Prokuroria është duke hetuar meqë është ende në fazë fillestare por jemi në fazën e hershme hetimore do të shikojmë se cilat vepra të tjera mund të dalin nga ky rast të cilat edhe mund të argumentohen”, thotë Uka.

Prokuroria në Gjilan ka filluar hetimin e një rasti ku të përfshirë janë gjashtë persona nga ta edhe dy zyrtarë policorë të Njësive Speciale.

Nga të dyshuarit, prokurori Uka tregon se janë konfiskuar një mori telefonash të cilat do të ekzaminohen dhe nga to më pas do të mund të zbardhen detaje të reja në lidhje me rastin.

“Armët janë konfiskuar dhe do të dërgohen në ekzaminim balistik dhe në anën tjetër edhe telefonat që si prova materiale do të na shpërbejnë për procedurat e mëtutjeshme. Portofolet e viktimave janë konfiskuar. Në bazë të deklaratave të viktimave janë marrë 100 franga 100 euro dhe disa dinar në vlerë të 40 eurove. Në bazë të deklaratave të viktimave, të dyshuarit kanë kërkuar nga viktimat që mallin duhet ta sjellin”, tregon tutje prokurori i rastit.