Detaje për pesë rastet e reja pozitive me COVID-19 në Prizren

Komuna e Vushtrrisë, ajo e Prizrenit dhe Malisheva janë tri komunat në të cilat janë konfirmuar 12 rastet e reja me coronavirus.

Pesë rastet e reja me COVID-19 në Komunën e Prizrenit janë nga fshati Gërnçar, ndërsa që të gjithë janë familjarë të një personi i cili disa ditë më parë kishte rezultuar pozitiv.

Në komunën e Prizrenit këto pesë raste shfaqen pas tre ditëve pa asnjë rast të ri pozitiv.

Ndërsa drejtori i shëndetësisë, Visar Shehu tha për KALLXO.com se nesër nga Komuna e Prizrenit priten të testohen edhe rreth 25 zyrtarë Policor.

Ky testim i zyrtarëve policor vjen pasi që në një rajon të policisë 12 zyrtarë policor kishin rezultuar pozitiv me COVID-19 me datë 22 maj.

Komuna e Prizrenit është komuna me numrin më të madh të rasteve aktive me COVID-19.

Nga totali prej 134 rasteve të konfirmuara me COVID-19, në Komunën e Prizrenit aktualisht janë 56 raste aktive.

Nga totali prej 134 rasteve të konfirmuara janë shëruar 75 pacientë, ndërsa janë shënuar 3 viktima.

Që nga data 13 mars në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1064 raste pozitive me COVID-19, ndërsa janë shënuar 30 viktima.

Nga ky numër i përgjithshëm i të infektuarve janë shëruar 829 pacientë, ndërsa aktive mbesin 205 raste.

Rritet numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë